Gjykata shton edhe 20 ditë burg për krahun e djathtë të Habilajve

Gjykata e Tiranës shtoi me 20 ditë të tjera afatin 20 ditor të masës “arrest në burg” të dhënë më herët për Nezar Seitin për qëllime ekstradimi. Sipas dosjes së Prokurorisë së Katanias, Seiti dyshohet të jetë “financieri” i grupit të Habilajve. Ndërkohë që ndaj tij rëndon edhe një masë sigurie e dhënë nga Krimet e Rënda, Prokuroria e Tiranës kërkoi shtimin e afatit me 60 ditë.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga Gjykata, e cila pranoi kërkesën e avokatit për shtim të afatit me 20 ditë. Përmes avokatit të tij Detar Hysi, i arrestuari Seiti ka ridhënë para Gjykatës pëlqimin e tij për ekstradim drejt shtetit italian.
Ndonëse kërkesa e autoriteteve italiane nuk ka mbërritur, ekstradimi i Seitit duket një mision i pamundur. Të mërkurën, Krimet e Rënda vendosën një masë “arrest në burg” pa afat për të, për llogari të procedimit penal të nisur ndaj tij nga drejtësia shqiptare.
Nazer Seiti u arrestua nga policia shqiptare, si pjesë e bandës së Moisi Habilajt. Në seancat për masën e arrestit, i burgosuri përsërit me ngulm kërkesën për t’u ekstraduar drejt Italisë.
Por Prokuroria e Krimeve të Rënda synon ta mbajë me çdo kusht në Shqipëri, Nazer Seitin, me shpresën se italianët do të sjellin materiale të tjera përgjimi që kanë bërë mes trafikantëve. Në këto materiale, prokurorët shpresojnë të zbulojnë biseda mes anëtarëve të bandës, që mund të implikojnë persona të tjerë të përmendur.
Prokurorët kërkuan zgjatjen e masës së arrestit me 60 ditë, por Gjykata vendosi që Nazer Seiti të qëndrojë në burg edhe për 20 ditë të tjera. Nazer Seiti u arrestua gjatë një aksioni të beftë, të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku u kapën gati 3 ton kanabis në një magazinë në Babicë. Nazer Seiti dyshohet të jetë njeriu që mbante paratë e Habiljave dhe konsiderohet si financier i bandës.

Exit mobile version