Gjykata Speciale lë në paraburgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë lënë nën masën e paraburgimit ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Kjo pasi trupi gjykues konstatoi se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

Në dokumentin publik thuhet se vendimi është marrë më 24 maj.

“Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të gjashtëdhjetë e pestë (65th) dëshmitarë dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, është thënë nga DHSK-ja në vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Exit mobile version