Gjyqi për “Gërdecin”/ Mediu: Drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë nëse bën një padrejtësi të re

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për çështjen e “Gërdecit”, në një reagim të bërë pas seancës së sotme, shkruan se drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re.

Mediu: Nuk ka asnjë interes politik, proces, shpërblim apo ndëshkim që zhbën tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona dhe kjo ka qenë arsyeja që kam dhënë dorëheqjen si Ministër i Mbrojtjes.

Por drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re.

Deri tani, procesi gjyqësor kundër meje është përqendruar te dëshmitë e familjarëve që kanë humbur të afërmit apo ish të punësuarve, specialistëve ish-ushtarakë në fabrikën e Gërdecit.

Dëshmitarët janë thirrur nga akuza, por, deri tani, asnjë dëshmitar nuk ka bërë qoftë edhe dëshminë më të vogël kundër meje. Dëshmitarët e akuzës kanë provuar se nuk kam patur asnjë lidhje me zbatimim e procesit. Ata kanë pohuar se nuk kam qenë kurrë në fabrikën e demontimit apo të kem pasur lidhje, qoftë edhe spontane me ata që janë marrë me këtë proces.

Zero përgjegjësi! Sepse si Ministër i Mbrojtjes nuk kam shkelur ligjin, nuk kam favorizuar askënd, kam respektuar opinionin e ekspertëve ushtarakë, dhe Shefit të Shtabit.

Në detyrën time jam drejtuar nga interesi publik shtetëror, jo nga interesi privat.

Në lidhje me (pa)ligjshmërinë e procesit dua të vë në dukje se drejtësia nuk mund të bëhet kurrë e tillë, kur qëllimi i saj bëhet politika apo manipulimi i opinionit publik dhe jo zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës. Për këtë do të kemi rast të flasim më gjatë një herë tjetër. Jam i vendosur të mbroj vendimet e mia të drejta dhe të ligjshme.

Artikulli paraprakMë pak se një vit nga gara për Shtëpinë e Bardhë, kandidatët republikanë zhvillojnë debatin e tretë, përplasje për Ukrainën
Artikulli tjetërSPAK-u po kryen shërbimin e madh.