Gjyqi për Rezart Taçin, dëshmojnë 3 persona

Janë marrë dëshmitë e para në gjyqin në ngarkim të Rezart Taçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar për pastrim parash. Sipas SPAK, të akuzuarit, në bashkëpunim me Rezart Taçin, Artur Ballën dhe Bledar Lilon kishin organizuar një skemë financiare të paligjshme për pastrimin e një shume të konsiderueshme parash, të një grupi mafioz, nga e cila do të përfitonin rreth 16% të saj.

Shuma monetare prej 18.3 milionë eurosh është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ermal Hamzaj: Kam punuar me Taçin, jam noter që nga viti 2013. E njoh, kam punuar në kohën e Armos për një vit deri në një vit e gjysmë. Më pas, kemi vijuar bashkëpunimin si noter në disa raste. Më kujtohet prokura, sepse e kam bërë unë prokurën për Francesco Zumon. Ne përgatisim prokurën, por më pas e dërgojmë në vendin ku ndodhet personi për të firmosur. Në rastin konkret, kam pasur një kërkesë për të bërë një prokurë e cila do të dërgohej në Itali për t’u firmosur. Kam shkuar brenda ditës në Itali për të marrë firmat. Pagesat për udhëtimin drejt Italisë i ka bërë bashkëshortja e Taçin. Më ka pritur një person në aeroport dhe më ka dërguar tek Zumo për të marrë firmën për prokurën. Zumon e kam takuar 5 minuta, sa ka bërë leximin e prokurës e ka firmosur dhe është larguar. Rruga nga aeroporti deri tek vendtakimi ka zgjatur 20 minuta, ai që më priti ishte Fabio Petruzela. Bledar Lilo dhe Artur Balla i kam pasur kolegë tek Armo dhe i njoh.

Taçi s’më ka telefonuar dhe as kur kam shkuar në Itali, nuk e kam takuar.

Avokatja: A dini çfarë raporti kishte Rezart Taçi dhe gruaja në atë periudhë?

Hamzaj: Jo, nuk kam këtë informacion, di që ajo është motra e Lilos.

Denisa Dobi: E njoh Taçin, kam pasur marrëdhënie pune. Unë jam me profesion ekonomiste dhe kam punuar në kompaninë e Taçit. Nga viti 2005 kam qenë e punësuar tek EPC Oil deri në gusht të vitit 2013. Bledar Lilo di që ishte njeri i afërt i Taci, Balla kishte marrëdhënie të jashtme për kompaninë. Ka pasur biseda dhe telefonata me Artur Ballën, por që lidheshin me çështje pune. As Balla as Lilo nuk ishin të punësuar në shoqëri. Dy italianët, Petruzela dhe Zumon, nuk kam dëgjuar. Fabio Petruzelen e kam dëgjuar se më është kërkuar të bëj një rezervim në një hotel në Tiranë, por s’e mbaj mend sa herë, që ta bëja rezervimin më ka kërkuar që ta bëja Artur Balla. Tacin e kam njohur që në vitin 2005, sepse ka qenë shefi im i drejtpërdrejtë. Ne komunikonim vetëm në kuadër të furnitorëve. Unë ndiqja vetëm pjesën ekonomike, për çmimet dhe termat ekonomikë që bëheshin. Taci më kishte thënë që mund të merrja edhe urdhra nga Elton Balliu për të bërë pagesa. Me Tacin komunikonim me celular, për porositë që kishte. Ermal Hamzaj ka qenë noter, nuk më kujtohet të kem bërë pagesa për udhëtim të tij drejt Italisë në korrik të vitit 2021.

Gjykata: A keni përpiluar ndonjë shkresë në emër të Arben Ahmetajt?

Dobi: Dëshmitarja nuk e mban mend, sepse po flasim për vitin 2021.

Gjykata: Ju komunikonit në mënyrë institucionale për punën tuaj?

Dobi: Jo, nuk ishte e shpeshtë. Një gjë të tillë komunikonim me doganat; me ato na lidhte puna.

Gjykata i jep shkresën dëshmitares për ta parë.

Dobi: Këtë shkresë e kam shtypur unë, më është kërkuar nga Artur Balla që të bëj një tekst të tillë dhe kujt ti drejtohem. Unë thjesht e kam shkruar, por përmbajtjen ma ka bërë gati Artur Balla. Nuk më kujtohet me cilin person ja kam dërguar.

Avokatja: Në vitin 2021 keni pasur kontakt me Taçin për shtetas italian?

Dobi: Jo, nuk kam pasur kontakt, pasi flisja me Artur Ballën. Nuk kam punuar drejtpërdrejt me shoqëri të tjera, por motra e Taçi më pyeste herë pas here për çështje ekonomike, për të qenë në rregull me procedurat, terma financiarë tatimore. Nuk jam paguar për këtë gjë, e kam bërë për respekt si ish-punonjëse e të vëllait.

Gjykata kundërshtoi pjesërisht dëshmitë e dëshmitares Denisa Dobi. Prokurori kërkoi që gjykata të bëjë leximin e akteve.

Dobi: Pagesat për Fabio Petruzelen i bëja nga fondet e EPC Oil me kërkesë të Rezartit dhe me urdhër të Elton Balliut. Për lëvrim të fondeve ose pagesa duhet të kontaktoja edhe Taçin edhe Balliun. Gjykata e pranon procesverbalin me dëshminë e dhënë para hetuesve.

Dëshmia e Emiljano Gjikës

Emiljano Gjika: E njoh Tacin, unë jam jurist me profesion. Në vitin 2021 kam qenë i punësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Nëse kërkohej konsulencë juridike, unë e pranoja si punë të dytë. Tek “Dy Kullat”  tek bulevardi, kanë zyrat e Najda Taçit. Kam ofruar për të konsulencë nëse kërkonte, kam shkuar tek zyrat e saj. Kam pasur marrëdhënie konsulencë me shoqërinë EPC Oil, herë më është kërkuar nga Elton Balliu dhe nga persona të tjerë, kam ofruar shërbime konsulence.

Këto dy dokumente janë hartuar nga ana ime, marrëveshje huaje me të cilën do merrej hua kjo shumë eurosh që do përdorej për të blerë naftë. Do merreshin nga kjo kompani që është shënuar këtu, nuk e di kush do e lëshonte huan. Njëra palë ishte EPC, pala tjetër s’e di kush ishte. Dëgjoja diçka për Hong Kongun, por s’e di shumë, nuk më dhanë dokumente kompanie; ishte një ide, mesa më kujtohet.

Dokumenti tjetër, që kërkoi ai italiani, Fabio Petruzela, ishte me Artur Ballën. Ata më sollën dokumente të gatshme dhe unë i kam punuar sipas kërkesave të tij. Hapa atë protokoll, që ishte një e-mail i ri; unë s’e kisha idenë që ekzistonte deri atëherë. Petruzela ishte sjellë nga Arturi; ai tjetri jetonte në Milano, nuk kishte prezantim të detajuar, por mesa kuptova ishte ndërmjetës financiar. E kuptova si dikë që kishte para dhe donte të investonte. Nuk jam paguar për dy draftet, e bëra për miqësi. Taçin e kam takuar për herë të parë në prill të vitit 2010 kur kam punuar në Armo, deri në mes të vitit 2013 dhe ka vijuar bashkëpunimi për konsulencë deri rreth vitit 2022. Kam ofruar shërbime konsulence edhe për EPC Oil.

Konkretisht kam parë kontakte për blerje nafte, nuk di të ketë marrë me gjëra të tjera. Lidhja e Taci me EPC Oil, të huajt ishin lidhje të Taci, nuk mund të ishin të Eltonit; duhet të kesh shumë kontakte, gjëra të cilat Elton Balliu nuk i kishte. Elton Balliun e kam njohur që në Armo, ai ka pasur edhe një kompani, por bënte edhe shoferin; shoqëronte Tacin dhe familjarët e tij, por edhe për çështje pune. Francesko Zumon e kam dëgjuar në televizor; këtë s’e kam dëgjuar më herët, deri kur e pash në lajme, pra kur kam bërë draftet, s’e njihja.

Avokatja: Kur keni komunikuar me Taçin?

Gjika: Komunikimi i fundit ka qenë në kohën e COVID-19, pasi u sëmurën prindërit dhe e kam ndihmuar. Ai me mori dhe me falënderoi. Me Taçin s’kam folur për shtetas italian. Të gjitha komunikimet i kam pasur me Ballën, për të bërë dy draftet, s’më ka marrë Taçi.

Exit mobile version