NGA AGIM BAÇI
Pas 31 seancash gjyqi, pa një proces hetimi, por vetëm përmes shpalljes publike të akuzave, mëngjesin e 14 prillit 1945, 17 persona, nga më të shkolluarit e kohës, do të pushkatoheshin dhe trupat do të groposeshit të gjithë bashkë në zonën që njihet si “Kodra e Priftit” në Tiranë. I ashtuquajturi “Gjyqi special”, i ngritur për të dënuar “Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e popullit”, i zhvilluar nga 1 marsi deri më 13 prill 1945 kishte krijuar modelin që sistemi do të përdorte për gjyqet e ardhshme, edhe për 45 vite të tjera, mbi këdo që do ta llogariste si pengesë për vendosjen e regjimit. 40 të akuzuar të tjerë, të akuzuar bashkë me 17 të ekzekutuarit, do të merrnim dënime të ndryshme, dënime që do të përsëriteshin herë pas here bashkë me dënime e internime për të afërmit nën një survejim të tmerrshëm.
80 vjet më pas, ne sërish duhet të pyesim: “Cila ishte ajo forcë që e bëri një pjesë të shoqërisë të mbështesë regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm? Dhe, për më tepër, cila është ajo forcë që vijon sot të mbajë gjallë nostalgjinë edhe kur ajo e shkuar kriminale nën regjimin komunist ka dalë në pah përmes vendimeve, përmes dëshmive, përmes pranimit nga disa aktorë të së keqes”? Këto janë pyetje që në fakt ia vlen t’i shtrojmë në mënyrë të vazhdueshme, nëse nuk duam t’i shmangemi përgjegjësisë për të pohuar atë që nuk mundëm dot ta zbardhnim dhe studionim sa duhet në këto 35 vite ndryshimesh politike. Por, a kemi ditur të përballemi ne me të shkuarën tonë nën diktaturë? A e kemi parë të shkuarën nën regjimin komunist si fragment, si një lajthitje të çastit që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo e kemi studiuar si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot? Në Shqipërinë e pas vitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar në diktaturë, u praktikua ajo që sociologu Zigmunt Bauman e quan “vetëshfajësim historik”.
Në Shqipëri vetëshfajësimi historik u mbështet më së shumti përmes sloganeve “ashtu ishte koha” apo “gjithkush nga ne mund të kishte gabuar” – qëndrime që e çuan një pjesë të shoqërisë shqiptare deri në refuzim për të dëgjuar çfarë kish ndodhur realisht gjatë diktaturës, duke e lënë të keqen të bredhë lirisht rreth nesh. Si pasojë e këtij “vetëshfajësimi” u krijua ideja e gabuar sikur debati mbi të shkuarën ishte thjesht një çështje historie dhe se u përkiste vetëm historianëve, sociologëve apo politologëve dhe jo një çështje e debatit mbarëshoqëror mbi pasojat e së shkuarës komuniste. Duke mos i rrëzuar këto gjyqe përmes vendimeve gjyqësore, apo duke mos mbajtur një qëndrim të prerë lidhur me natyrën kriminale të regjimit komunist, Shqipëria mbetet ndër të paktat vende ish-diktatoriale që nuk ka të penduar dhe as të falur. Kjo, sepse nuk u bë as një proces gjyqësor apo moral, duke humbur shansin që ata që kishin bërë krime apo që kishin miratuar të tilla veprime, të kërkonin ndjesë apo t’u jepej shansi i rrëfimit dhe pendesës. Pavarësisht risjelljes së kujtesës përmes botimeve, aktiviteteve dhe studimeve nga Instituti i Studimeve të Pasojave të Krimeve të Komunizmit (ISKK) dhe aktorë të tjerë që vijojnë të flasin për të shkuarën, shoqëria shqiptare vijon ta këtë të shkuarën e saj pa një qartësim qoftë moral, qoftë ligjor.
Ky moslexim i së shkuarës me të gjitha të vërtetat rrezikon të relativizojë të keqen, duke e konsideruar normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë. Sipas filozofëve, ata që tentojnë ta pengojnë të shkuarën, që të shkruhet me gjuhën e krimeve që kanë ndodhur, fshehin dëshirën që ta rishkruajnë atë sipas orekseve të tyre, me qëllim që të kontrollojnë të ardhmen sipas së njëjtës ideologji. Kjo është pasoja kur ne si shoqëri rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”. Mungesa e dekomunistizimit dhe mosndryshimi i teksteve të historisë u lanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë. Madje, nga kjo nostalgji për kohën djallëzore të diktaturës, gati në mënyrë kriminale, jo pak herë është kërkuar që të harrohen apo të mbeten pa shumë zë dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur për shtyllë për disa net me radhë në mes të ftohtit.
Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kishte mbjellë ai sistem bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët. Gjetja e rrugëve për rihapjen e gjyqeve ku të shpallet dënimi kriminal i atyre që u dënuan pa gjyqe, apo me gjyqe të rreme, pa hetim, me falsifikim dëshmish e dëshmitarësh, vetëm e vetëm se nuk ishin mbështetës të regjimit apo shiheshin si armiq të tij, është një zgjidhje që na nevojitet. Ky hap, edhe pse i vonuar për shoqërinë tonë, është i domosdoshëm pasi ne kemi nevojë për një gjyq për ato kohë të errët të shoqërisë shqiptare! 80-vjetori i “Gjyqit special” është një ditë për të na thënë se, nuk është kurrë vonë për të kërkuar të vërtetën dhe për ta shfaqur atë me të gjitha ngjyrat, sado e rendë të jetë, pasi vetëm pasi të pranojmë pasojat që na ka lënë ai regjim dehuman, do mund të shohim njeri-tjetrin në sy, e dashtë Zoti, edhe të kemi procesin e Faljes dhe Pendimit. Të paktën, këtë proces ua kemi borxh atyre që edhe në këto 35 vite vijojnë të sorollaten për të gjetur të vërtetën për të parët e tyre, për varret e tyre, për pronat e tyre.