Gjyqtari Aliaj në Prokurori: Nuk më trembin deklaratat e Tahirit

Prokuroria e Përgjithshme mori në pyetje dje gjyqtarin Arjan Aliaj, i cili pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ka qenë ora 9:00 e mëngjesit të djeshëm kur gjyqtari Aliaj është paraqitur pranë zyrës së prokurorit që verifikon kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Mësohet se Aliaj është pyetur me cilësinë e dëshmitarit dhe jo personit të dëmtuar, pasi nuk është ai kallëzuesi i ministrit. Para prokurorit, mësohet se gjyqtari Aliaj ka pretenduar se deklaratat publike të ministrit nuk i ka marrë si kërcënim dhe se nuk ndihet i trembur. Kjo për faktin, se vendimin e dhënë ndaj drejtorit Çako, gjyqtari Aliaj e ka cilësuar të drejtë dhe të bazuar në dyshimet paraprake të Prokurorisë. Ai i ka thënë hetuesve se është gjyqtar dhe i ka marrë parasysh presionet, por vendimarrjen, ka thënë ai e ka të bazuar vetëm në prova, ligj dhe Kushtetutë.
Gjyqtari Aliaj ka mohuar njohjen personale me ministrin Tahiri dhe ka deklaruar se, ky i fundit e ka kontaktur apo komunikuar privatisht për vendimin që ka marrë. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në kallëzimin kundër ministrit Tahiri, thonë se deklaratat e tij publike janë kanosje ndaj gjyqtarit Aliaj, i cili kishte vendosur më 6 qershor pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako me dyshimin se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” për skandalin e përgjimeve të policisë.
KLD pas deklaratave publike të ministrit Tahiri kundër gjyqtarit Aliaj, dorëzoi kallëzim penal, duke pretenduar se ministri ka kanosur gjyqtarët, duke intimiduar në vendimmarrjen e tyre. Për këtë fakt, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin dhe ka nis verifikimin e fakteve të pretenduara në kallëzim, për të cilin është marrë në pyetje edhe ministri Tahiri.
Në kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë thuhej se, ministri me daljet e tij publike ka kanosur gjyqtarin Arjan Aliaj. Sipas kallëzimit të bërë në Prokurori, ministri Tahiri me deklaratat e tij ka fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Pasi ky i fundit, me kërkesë të Prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve.
Pas nisjes së hetimit, organi i akuzës ka sekuestruar pamjet e konferencave të shtypit, në të cilat ministri Tahiri shfaqet duke hedhur akuza të pabaza ndaj gjyqtarit Aliaj dhe duke baltosur figurën e tij. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se, ka sekuestruar pamjet filmike me zë dhe figurë të konferencave për shtyp të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kur sulmonte gjyqtarin Arjan Aliaj. Prokuroria pretendoi se drejtori Çako ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk administroi dhe procedoi sipas ligjit për aparaturën e përgjimit të hyrë në Shqipëri nga autoritetet e Interforcës italiane.
Në disa dalje publike Tahiri ka sulmuar, fyer dhe kërcënuar gjyqtarin Aliaj menjëherë pas pezullimit nga detyra me urdhër të Prokurorisë, të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe arrestimin e dy punonjësve të policisë për “shpërdorim detyre”. Tahiri akuzoi gjyqtarin Aliaj për dhënie të vendimeve të padrejta në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit. Gjatë sulmeve të tij, Tahiri nuk nguroi të risillte në vëmendje edhe çështje të tjera të gjyqtarit Arjan Aliaj, duke hedhur baltë mbi të. Tahiri u muar në pyetje nga Prokuroria e Përgjithshme para një jave dhe pas daljes nga organi i akuzës deklaroi se u qëndron deklaratëve ndaj gjyqtarit Aliaj.

R.POLISI

Exit mobile version