Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, ka bërë një deklaratë “bombë” në takimin e organizuar nga Dhoma e Përmbarimit në ambientet e “Rogner”.
Hoxha tha se ekzistojnë vendime gjyqësore sipas të cilave drejtorë bankash luajnë bixhoz me paratë e shqiptarëve, raporton “newsbomb”.
“Ka plot vendime gjyqësore për njerëz në banka me lidhje me klientët për procedura dhe afera korruptive. Ashtu sikurse ka edhe drejtues bankash, dhe për ta ka vendime që janë të dashuruar me këto lojërat e fatit dhe luajnë bixhoz me paratë e qytetarëve”, deklaroi Hoxha gjatë takimit për problematikën e kredive të këqija organizuar nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë.
Së fundi, gjyqtari me eksperiencë ka dhënë edhe një sugjerim për zv.ministrin e Drejtësisë, Eridian Salianji që ishte prezent në tavolinë.
“Ne gjyqtarët nuk jemi engjëj. Por dua të shpreh shqetësim të gjyqtarëve që shpeshherë nuk merren parasysh mendimet e tyre. Kam një rekomandim: të thjeshtohen procedurat dhe të kemi mundësi ekzekutimi. Të shkurtohet procesi”, tha Hoxha.