Gjyqtari i kërkon ndjesë trajnerit

Duhet të ketë mbetur i befasuar Edi Hou, menaxheri i Bërnmuthit, pasi ka hapur postën e vet elektronike dhe ka gjetur një e-mail të mbërritur nga arbitri Roxher Ist. Në minutën e dhjetë, kur rezultati ishte 0-0, sulmuesi i miqve, Kalum Uillson, u rrëzua në zonë nga mbrojtësi Rajan Shaukros. Faulli dukej qartë, mirëpo Ist nuk i fryu bilbilit. Por duket se ky vendim e ka brejtur në ndërgjegje 51-vjeçarin, i cili ka zgjedhur rrugën elektronike për t’i kërkuar ndjesë teknikut të Bërnmuthit. “Nuk mund të kërkosh më tepër se falje. Të gjithë gabojmë, me siguri edhe unë. E kur kjo ndodh, e vetmja gjë që mund të bësh është ta kuptosh gabimin e të vazhdosh përpara”, komentoi trajneri Hou.
Ndërkohë, gabimi i arbitrit nuk ka mbetur pa u ndëshkuar nga Federata e Futbollit, e cila i ka caktuar atij detyrën e gjyqtarit të katërt në ndeshjen mes Sauthemptonit dhe Evertonit. “Më vjen keq, shtoi Hou, nuk është e drejtë të vlerësohet puna e një profesionisti nga një episod”.
Ndërkohë, në futboll mund të krijohet një precedent i ri, i cili mund t’u shkaktonte një dëm të konsiderueshëm financiar organizmave drejtuese të këtij sporti, mes të cilave edhe UEFA-s. Kjo e fundit është paditur në gjykatë nga një tifoz i Atletikos së Madridit, i cili është edhe i regjistruar si një prej ortakëve të klubit, me numrin 8856. Hoze Antonio Kampon kërkon nga UEFA një dëmshpërblim prej 1660 eurosh, saktësisht 160 euro për biletën që ka paguar për të qenë në stadium gjatë finales së Champions-it dhe 1500 euro për shkak të dëmit moral që u shkaktua nga goli në pozicion jashtë loje i Serxhio Ramosit.
Në padinë e ngritur, ai ia kërkon këtë dëmshpërblim edhe arbitrit Mark Klatenburg, si personi përgjegjës për shkaktimin e një gabimi të tillë, që solli edhe dëme psikologjike te tifozët e Atletikos dhe mbi të gjitha, edhe për klubin, pasi humbën mundësinë për të ngritur trofeun.
“Nuk është problemi im që UEFA nuk merr masa duke përdorur teknologjinë apo instrumente të tjera, për të shmangur gabime të tilla. Unë shkoj në stadium, për të ndjekur një ndeshje futbolli, rregullat e së cilës janë shumë të qarta. Kur një gol është në pozicion jashtë loje, atëherë ai duhet anuluar. E thjeshtë. Por, nëse arbitri lejon një gol si i Serxhio Ramosit, duke vulosur edhe fituesin e një kompeticioni të rëndësishëm, nuk ka hedhur poshtë të gjithë punën e ekipit tjetër, por edhe sakrificën e madhe të tifozëve”.

Exit mobile version