Gjyqtari Kristo: Eksperimente me kufizimin e të Drejtave të Njeriut

Gjyqtarët nuk janë tërhequr dje përpara presioneve të hapura në sallë të deputetes së Ramës, Vasilika Hysi. Një deklaratë e fortë ka ardhur nga gjyqtari më i vjetër i trupës së Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo: “Mënyra se si ju i përgjigjeni një gjyqtari është mungesë etike. Këtu, në këtë sallë rregullat i vendosim ne”, ishte përgjigjja që gjyqtari Kristo dha për Vasilika Hysin, e cila iu drejtua me tone ofenduese një tjetër gjyqtari të Kushtetueses. Pas ndërhyrjes së gjyqtarit Kristo, Hysi ka heshtur.
Gjyqtari i Kushtetueses ka qenë më i drejtpërdrejtë me politikën, ndërsa në sallë ndodhej ambasadori amerikan, ai ka kujtuar edhe një standard të demokracisë amerikane. “Në asnjë vend nuk ndodh që Kushtetuta të kufizojë të drejtat e njeriut. Tek ne ndodh ky eksperiment. Vettingu do të bëhet dhe shumë mirë që do të bëhet. E shumta që mund të bëjë gjykata është të ndryshojë diçka. Pyetja ime është se nëse heqim ca të sëmurë dhe vijnë ca të pastër, a mos mbetet sërish mikrobi në sistem? A mos ka ardhur koha të reformohet thellë sistemi politik në vend? Është i deformuar dhe nuk kam besim se pa reformuar sistemin politik, reformat do të jenë afatgjata”, tha gjyqtari Kristo. Më pas, duke iu drejtuar ambasadorëve në sallë, Kristo tha ky ka qenë një debat i bërë në Amerikë qindra vite më parë.
“Dy janë problemet që mund ta prishin gjyqësorin: e para, korrupsioni dhe kërcënimi nga krimi i organizuar. Në SHBA u vendos për juri me qytetarët. Koha provoi që ishte vendim i drejtë. A mos ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë kështu?”.
Në fund, Kristo kërkoi edhe ndjesë: “U zgjata ca dhe ndoshta dola edhe pak jashtë statusit, por jam gjyqtari më i vjetër në sistem në mbyllje të karrierës”, tha ai.
Kushtetuesja i qëndroi vendimit të parë, pra vendosi të mos heqë pezullimin e ligjit derisa të ketë ardhur mendimi nga Komisioni i Venecias. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë Ligjin e Vettingut. Ishte Kuvendi që kishte kërkuar heqjen e masës së pezullimit ndaj Ligjit të Vettingut. (Anulimin e vendimit të parë të Kushtetueses).

Gjyqtarët kundër

Demokratët u përfaqësuan nga deputeti Oerd Bylykbashi, si dhe ekspertët ligjorë Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso.
Ndërsa PS-ja u përfaqësua nga tre deputetët: Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Fatmir Xhafaj.
Gjykata Kushtetuese ka bërë palë në proces edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët, ashtu si PD, kanë ankimuar Vettingun në Kushtetuese, ndërsa përfaqësohen në seancë nga kreu i UGJSH, Gerd Hoxha.
Deputeti socialist, Pandeli Majko, kërkoi nga Kushtetuesja heqjen e masës së pezullimit të Ligjit të Vettingut.
“Kuvendi, para se të parashtrojë pretendimin e saj, kërkon tërheqjen e masës së pezullimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në çfarë motivesh është bazuar Gjykata Kushtetuese që ka pezulluar ligjin? Një standard i gjykatës që nuk gjendet në ligj”, u shpreh Majko.
Kundër kërkesës së Kuvendit u rendit kreu i Unionit të Gjyqtarëve shqiptarë, Gerd Hoxha. “Jemi kundër kërkesës së Kuvendit për heqjen e masës së pezullimit të ligjit. Ligji është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën”, tha Hoxha.
Ndërsa eksperti ligjor i PD, Gazmend Bardhi tha: “Ne jemi kundër kërkesës së Kuvendit, pasi bie ndesh me Kushtetutën. Vendimi i gjykatës nuk mund të vihet në dyshim nga askush, por respektohet dhe bazohet. Vetë Kuvendi pranon që situata në legjislacion vendimi për pezullim nuk publikohet menjëherë, por kur mbyllet shqyrtimi”.

Reagimi i PD

Palët, Partia Demokratike, Unioni i Gjyqtarëve dhe Kuvendi, i cili u përfaqësua nga deputetët socialistë ritheksuan pozicionet e tyre. Ndër të tjera Gazmend Bardhi i demokratëve kërkoi që t’u hiqej ILDKP dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave roli kryesor në Vetting, rol të cilin duhet ta kryejnë dy organet e reja që krijohen me Kushtetutë, çka u kundërshtua nga socialistja, Vasilika Hysi.
Pyetja e gjyqtarëve është nëse konsiderohen në konflikt interesi, pasi Vettingu do të veprojë dhe mbi ta. Palët në proces kujtuan të kundërtën, pasi kanë shënuar një precedent për këtë.
Seanca nisi me kërkesën e socialistëve për heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë që trupa e gjyqtarëve e rrëzoi. Çfarë pritet pas kësaj është mbërritja e opinionit nga Komisioni i Venecias dhe vendimi përfundimtar i gjykatës mbi kushtetutshmërinë e ligjit.
Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e Ligjit të Vettingut duke rrëzuar kërkesën e paraqitur në emër të Kuvendit nga Pandeli Majko për heqjen e tij, ndërkohë që ka nisur shqyrtimin në themel të kërkesës së Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve për shfuqizimin e këtij ligji.
Opozita dhe gjyqtarët pretendojnë në ankimim se, ligji shkel Kushtetutën. Gjatë kërkesës për heqjen e pezullimit, Pandeli Majko tha se “Ende nuk është mësuar arsyeja se përse ligji është pezulluar”. “Të hiqet pezullimi i Ligjit të Vettingut sepse edhe sot ne nuk dimë arsyet se përse Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar atë”, deklaroi Majko.
“Në dijeninë time, në asnjë vend Gjykata Kushtetuese nuk interpreton ndryshimet kushtetuese, ndaj po flasim jashtë temës”.
Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi ruajtjen e pezullimit duke deklaruar se ligji “Rrezikon vendin e punës për shumë gjyqtarë dhe prokurorë”.
I pranishëm në sallë, veç përfaqësuesve të opozitës dhe Unionit të Gjyqtarëve si palë të interesuara, ishte edhe ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Kurse kryetari i Kushtetueses, Bashkim Dedja tha se bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë nuk i arsyeton vendimet e ndërmjetme, por vetëm përfundimtaret.

Kush do t’i hetojë tani ministrat e korruptuar?

Çfarë do të ndodhë me prokurorin e Përgjithshëm? Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, i cili hyri në fuqi dje, zvogëlon kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm. Tashmë prokurori i Përgjithshëm nuk ka më të drejtë: Të hetojë zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj. Të marrë vendime për karrierën e prokurorëve – emërim, komandim, transferim, shkarkim.
Këto kompetenca i kalojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion i ri i krijuar në kuadrin e reformës në drejtësi.
Ligji i për Prokurorinë u miratua në fund të muajit shtator vetëm me votat e mazhorancës. Ai është një nga shtatë ligjet plotësuese të reformës në drejtësi.
Hyrja në fuqi e këtij ligji mund të ishte një risi në rastin kur është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mirëpo mosngritja e Këshillit sjell një ngërç të fortë ligjor dhe mund të jetë paralizues për institucionin e akuzës. Tani zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive mund të festojnë sepse nga njëra anë prokurorit të Përgjithshëm i ndalohet që të hetojë ndaj tyre dhe nga ana tjetër Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk funksionon. Pyetja që ngrihet është se kush do ta ketë të drejtën që të hetojë zyrtarët e lartë, kush mund të vendosë para drejtësisë, ministrat apo edhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët kur institucionet jo vetëm që nuk janë ngritur, por kanë paralizuar njëri-tjetrin? Ne kemi një prokuror të Përgjithshëm, i cili nuk mund të hetojë zyrtarët e lartë sepse ia ndalon ligji. Në letër kemi një institucion si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili mund ta bëjë këtë detyrë, por kjo është vetëm në ligj, pasi në praktikë ky institucion nuk funksionon. Atëherë kush përfiton nga ky ngërç i reformës në drejtësi? Natyrisht që të përfituarit e vetëm në këtë rast janë ministrat hajdutë dhe zyrtarët e tjerë të lartë që vazhdojnë të rrjepin qytetarët e këtij vendi. PD depozitoi dje një kallëzim penal ndaj ministrit Beqaj për aferën e të famshmit check up dhe ku vlera e abuzimit financiar vetëm për një segment të kësaj kontrate kap vlerën e 16 milionë eurove. Po kush do ta hetojë Beqajn tani që ligji i ri për Prokurorinë ka hyrë në fuqi? Kjo është një pyetje, e cila deri tani nuk ka një përgjigje.

Arben SHAHINI

Exit mobile version