Gjyshja e Xhisiela Malokut, në banesën e të cilës u hodh një sasi eksplozivi ka folur për Ora News.
Në një prononcim të shkurtër të marrë nga gazetari Leonidha Musaj, gjyshja thotë se ndihen të rrezikuar, edhe pse ajo thekson se nuk kanë dijeni se kush mund ta ketë kryer këtë veprim.
“Nuk dimë asnjë gjë. S’ja vendosim dot fajin asnjërit. ishte ora rreth 12 e natës. U trembëm shumë. Na e hodhën tritolin në oborrin e shtëpisë. Jemi të kërcënuar. Nuk kemi asnjë ide kush mund ta ketë hedhur, vetëm kur dëgjuam zhurme dolëm të frikësuar përjashta dhe pamë se kishin hedhur lëndë plasëse”, ka qenë kjo dëshmia e gjyshes së Xhisielës. Xhisiela është kthyer së fundi në një nga emrat më të përfolur në media për shkak se ka qenë pre e dhunimit nga ana e djalit të deputetit të PS-së në Krujë, Rrahman Rraja.
Vetë ajo ka dhënë dëshmi kontradiktore në media dhe në prokurori, pasi dyshohet se ka qenë nën presion të vazhdueshëm.
Vetë Ramazan Muça ka folur pak ditë më parë për ngjarjen ku është shprehur se ai nuk ka ditur asgjë për dhunimin e mbesës së tij. Sipas Muccës dhe vetë e ëma e Xhisielës nuk ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur.
“Nuk dimë asgjë, as vajza ime nuk ka ditur gjë”, deklaronte Ramazan Muça.