Kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe është ndaluar nga Policia. Mësohet se Tushe është ndaluar në kuadër të një operacioni të organizuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të zhvilluar nga forcat RENEA. Operacioni anti-korrupsion ka nisur mëngjesin e sotëm.
Deri më tani mësohet se janë arrestuar disa persona, mes tyre edhe Tushe. Emrat e të arrestuarve të tjerë nuk dihen ende, por paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.
Nga raportimet mësohet se operacioni i SPAK ka përfshirë Kadastrën e Lushnjes. Deri më tani raportohet se janë arrestuar 10 persona.
Mësohet se prej disa muajsh SPAK po heton lidhur me abuzimet me pronat, duke përfshirë disa nga zyrat kadastrale në vend.