Goditet Morinjo!

Derbi i Manchester-it mes United dhe City luajtur mbrëmë në “Old Trafford”, fituar nga “qytetarët” me rezultatin 2-1, ka degjeneruar në një sherr masiv mes lojtarëve dhe stafeve të dy ekipeve. Mediat britanike raportojnë se pas ndeshjes, në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes ka patur incidente, ku janë përfshirë rreth 20 persona. Të dëmtuar kanë dalë zv/trajneri i City, Mikel Arteta (është goditur mbi vetull) dhe trajneri i United, Jose Mourinho.
Duket se gjithçka ka nisur kur Jose Mourinho ka shkuar në dhomat e zhveshjes së skuadrës së City, për t’u kërkuar lojtarëve të ulin zërin pas festimeve, por aty ka nisur një debat me portierin Ederson. Dy portugezët janë kapur me fjalë mes tyre dhe mendohet se aty ka fluturar një shishe plastike, që ka goditur në kokë trajnerin e United. Në këto momente mendohet se është dëmtuar edhe Arteta, zv/trajneri i City.
Mediat britanike shprehen se në adresë të Mourinhos është hedhur ujë e qumësht gjatë kohës që ka qenë duke debatuar dhe më pas është larguar, duke u rikthyer qetësia. Mes protagonistëve të sherrit është edhe sulmuesi i “djajve të kuq” Romelu Lukaku, ndërkohë që për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë si forcat e rendit ashtu dhe disa “steward” që ndodheshin aty pranë.
Skuadra e Guardiola-s ka barazuar rekordin e 14 fitoreve të Arsenal, pasi ka bërë vetëm një barazim ndaj Everton në gusht. “Futbolli është i pabesueshëm. Folëm për mënyrën se do të luanim ndaj United, por kurrë për goditjet standarde, dhe më pas shënojmë pikërisht në atë mënyrë dy golat. Futbolli është i paparashikueshëm. “Kjo fitore ka shumë rëndësi. Në dhjetor është e pamundur për të qenë kampionë, por jemi në një situatë të mirë”, tha Guardiola.
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka analizuar fitoren e marrë në “Old Trafford” në derbin kundër Manchester United të Jose Mourinho: “Kemi zhvilluar një ndeshje të hapur dhe kemi pasur 75% të zotërimit të topit. Dua të shikoj gjithmonë personalitetin e sotëm”.
Kam besuar gjithmonë se mund të luajmë në këtë mënyrë, që nga sezoni i kaluar. Futbolli është i bukur, sepse të gjithë mund të luajnë ashtu si duan. Jam i lumtur që shkoj në “Stamford Bridge” dhe “Old Trafford” dhe fitoj në këtë mënyrë”.
Spanjolli i është kundërpërgjigjur edhe akuzave të Mourinho-s: “Një ditë para ndeshjes ka folur për arbitrin. Ne jemi një skuadër e ndershme, nuk është e vërtetë se lojtarët e mi simulojnë. Në sezonin e kaluar ka ndodhur e njëjta gjë, kemi fituar këtu dhe e kemi bërë falë arbitrit…”.

Artikulli paraprakDorëzohet Mourinho: Lufta për titull mbaroi
Artikulli tjetërDybala: Doja të braktisja gjithçka