Goditja e dyfishtë

Juventus nuk ndalet kurrë. Dyshja Marotta-Paratici është vënë në punë për të përmirësuar akoma më shumë organikën, veçanërisht në mesfushë. Pas një ndjekje të gjatë, duket se marrëveshja me Emre Can është vetëm një hap larg. Kontrata e 23-vjeçarit është drejt skadencës dhe lojtari ka refuzuar ofertat për rinovim të Liverpool, ku do të qëndrojë deri në fundin e këtij sezoni, për t’u transferuar më pas te bardhezinjtë me kosto zero.
I ri, i fortë, në gjendje të mbulojë disa pozicione të mesfushës: Emre Can do të ishte një goditje e rëndësishme, ashtu siç do të ishte Fabinho. 24-vjeçari brazilian i Monaco ka bërë të ditur se ka dëshirë të largohet nga bardhekuqtë në fundin e këtij sezoni: “Ky duhet të jetë viti im i fundit këtu, por askush nuk ka folur me mua ose menaxherin tim. Do të flasim përsëri për këtë në maj”. Juventus është gati të sfidojë PSG, Manchester United dhe Atletico Madrid për ta siguruar.
Mes cilësive të Emere Can dhe Fabinho është edhe ajo që të luajnë si mbrojtës të krahut të djathtë, një rol në të cilin Juventus duhet të përforcohet. Mattia de Sciglio po përmirësohet, por Alegri-t i duhet një alternativë cilësore, edhe pse Lichtsteiner do të largohet nga Torino në qershor.
Ndërkohë, braziliani Lucio është shprehur se, “kalimi tek Juventus ishte një gabim, por gabimin më të madh e bëri Inter”. Lucio ka qenë një nga titullarët e Inter-it të Mourinho-s në vitin e “Triplete”-s. Ai do të mbahet mend gjithmonë si një nga heronjtë e asaj skuadre, por në karrierën e tij ka patur edhe një eksperiencë të shkurtër me Juventus, që krijoi shumë polemika. Tani, pas disa vitesh, braziliani është kthyer të flasë për transferimin e tij tek Juventus: “Në 2012-ën, kam patur mundësinë të shkoja tek Juventus, nuk ka qenë një zgjedhje e madhe, sepse kam qëndruar vetëm gjashtë muaj, por gjithsesi kam fituar Superkupën e Italisë”, ka thënë Lucio.
Në intervistën e dhënë për calciomercato.com, qendërmbrojtësi ka thënë se, Inter nuk ka fituar më trofe (nga 2011), sepse klubi vendosi t’i largonte të gjithë në 2012-ën, duke ndryshuar një numër të madh lojtarësh të rëndësishëm: “Në 2012-ën vendosën të rindërtonin ekipin dhe unë nuk mund të vazhdoja aty. Mbaj mend se një nga drejtuesit ishte Branca. Ka qenë një gabim i madh i klubit të ndryshonte gjithçka, sepse nga ai vit nuk ka fituar më asgjë. Sipas mendimit tim, largimet e Eto’o, Julio Cesar dhe Maicon kanë qenë një gabim i madh”.
Sot, Lucio luan me amatorët e Sociedade Sportiva Do Gama në Brazil. Dëshira për të luajtur nuk i është larguar kurrë, ashtu si dëshira për të ndihmuar një qytet dhe shumë të rinj: “Është një eksperiencë e ndryshme, por kam akoma një dëshirë të madhe për të luajtur futboll. E dua këtë sport dhe më ka motivuar të luaj”, ka thënë ai, që më pas ka folur edhe për brazilianët e Juventus, Douglas Costa dhe Alex Sandro: “Juventus dhe Inter kanë mundësinë ta fitojnë titullin, por duhet të bëjnë kujdes nga Napoli, që është përmirësuar shumë në vitet e fundit. Douglas Costa dhe Alex Sandro janë dy lojtarë shumë të mirë dhe janë grumbulluar vazhdimisht nga trajneri i Brazilit. Të shohim nëse do të jetë kështu edhe për Botërorin”.

Exit mobile version