Golden Foot 2016, fituesi është Bufon

Kapiteni i Juventusit dhe i kombëtares italiane, Gianluiggi Bufon u nderua në Montecarlo me çmimin prestigjioz Golden Foot 2016. Lajmërimi u bë nga Princi Alberti i Dytë i Monacos. Bufon bëhet në këtë mënyrë portieri i parë që merr këtë çmim dhe italiani i katërt pas Roberto Baggio-s, Alex del Piero dhe Francesco Totti-t.
Çmimi Golden Foot i krijuar që nga viti 2003 mund të fitohet vetëm një herë nga një futbollist dhe i jep fituesit të drejtën për të lënë gjurmën e këmbës në Champions Promenade, një lloj Walk of Fame i stilit hollivudian në Principatën e Monacos. Në vitin 2015 u fitua nga kamerunasi Samuel Etoo.
“Është një kënaqësi të jem këtu. Në Montecarlo kam fituar gjithmonë çmime të rëndësishme dhe shpresoj të fitoj edhe të tjerë. U nderova 13 vjet më parë si lojtari më i mirë i Champions League, ndërsa tani me Golden Foot. Vitet e fundit isha kandiduar, por nuk e kisha fituar. Ndoshta së fundmi kam bërë diçka më tepër për ta merituar”, u shpreh Bufon.
Një nderim i rëndësishëm individual ky për Gianluigi Bufon që ishte shumë pranë Topit të Artë vetëm në vitin 2006, kur Italia fitonte Botërorin. “Nuk kam nevojë të dëgjoj se si më gjykojnë të tjerët. E di vetë nëse duhet të jem i kënaqur me punën time ose jo”, tha ai.
Ka zëra se Juventusi është duke kërkuar pasuesin e tij, ndërsa të tjerë duan ta shohin në fushë përtej kufirit të 40 viteve. Vetë Bufon preferon të mos flasë për të ardhmen afatgjatë. “Rinovimi i kontratës? Duhet të përqendrohem vetëm te ndeshjet. Kam ende një vit e gjysmë kontratë dhe do t’i dedikohem Juventusit me shumë pasion”, tha Bufon.
Përveç fituesit të këtij viti Bufon, në ceremoninë e Golden Foot u nderuan me çmime të tjera dhe trajneri i Leiçester, Claudo Ranieri, ish-mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, mesfushori portugez, Deco dhe trajneri i Interit, Frank de Boer.

Exit mobile version