Goli i Shkëlzen Gashit në “Final Four” në MLS

Shkëlzen Gashi avancon mes katër më të mirëve për golin më të bukur të sezonit të rregullt në MLS. Finalizimi i futbollist shqiptar ndaj Vancouver Whitecaps nëpërmjet një goditjeje të lirë është mes më të pëlqyerve nga publiku, që me votat e tij do të përcaktojë deri këtë të mërkurë dy finalistët.
Në fakt Gashi, fitues i Këpucës së Artë në radhët e Colorado Rapids, shënoi një gol ndoshta edhe më spektakolar në gjysmëfinalen e kthimit të Konferencës së Perëndimit në MLS ndaj Los Angeles Galaxy, por kjo perlë e tij u realizua në play off, teksa janë konsumuar fazat e para të votimit për golin më të bukur të vitit në MLS. Në faqen zyrtare të Colorado Rapids u bëhet thirrje tifozëve të votojnë golin e Gashit që idhulli i tyre të mund ta fitojë këtë çmim individual.
28-vjeçari, i dëmtuar në kavilje në ndeshjen e fundit me Galaxy, nuk u përfshi në listën e të grumbuluarve për ndeshjen e kuqezinjve ndaj Izraelit, që do të zhvillohet më 12 nëntor në “Loro Boriçi”. Trajneri i Shqipërisë, Ganni de Biasi shpjegoi në konferencën për shtyp të së hënës që lënia jashtë e Gashit, por edhe e Kaçes e Cikalleshit, ka ndodhur për arsye teknike.

Exit mobile version