Shkëlzen Gashi vazhdon të jetojë ëndrrën amerikane. Pasi u shpall “Lojtari më i mirë” te Colorado Rapids për këtë sezon, sulmuesi shqiptar e sheh veten përkrah yjeve më të mëdhenj të Major League Soccer. Nga braziliani Kaka te kapiteni legjendar i Liverpool, Stiven Gerrard, për të vazhduar me emra të tjerë të mëdhenj të futbollit botëror, si Didier Drogba, Sebastian Giovincio apo David Villa e Giovani dos Santos.
Shkëlzen Gashi është nominuar në garën për çmimin “Goli më i bukur i vitit” në kampionatin amerikan, aty ku konkurrenca është mjaft e madhe. Sulmuesi kuqezi u vlerësua për golin e jashtëzakonshëm, të realizuar me goditje standarde përballë Vancouver Whitecaps, ndërsa mes dhjetëra golave të përzgjedhur në fazën finale, figuron edhe shoku i tij i ekipit, Kevin Doyle për rrjetën e realizuar me kokë kundër San Jose Earthquakes.
Sondazhi për golin më të bukur është hapur dhe tifozët kanë vetëm sikletin e zgjedhjes, pasi golat janë vërtet të mrekullueshëm, ndërsa një pjesë e protagonistëve janë yjet e Major League Soccer. Ylli i Los Angeles Galaxy, Stiven Gerrard u nominua për golin e shënuar përballë New England, ndërsa ish-fituesi i Topit të Artë, Kaka për rrjetën e realizuar me ngjyrat e Orlando City-t.
Sulmuesi i Torontos, Sebastian Giovinco e sheh veten të nominuar me tri gola të ndryshëm, ashtu sikurse edhe ish-lojtari i Barcelonës dhe Spanjës, David Villa, që në Amerikë luan me New York City. Me fanellën e Montreal Impact, Didier Drogba konkurron me predhën e shënuar nga goditje standarde, ndërsa nuk mbetet më mbrapa edhe meksikani i Los Angeles Galaxy, Giovani dos Santos. Një listë yjesh, pjesë e së cilës tashmë është edhe Shkëlzen Gashi, pas vlerësimeve për sezonin e shkëlqyer të Colorado Rapids.