Goli i parë i Andre Silvas i jep 3 pikët Milanit

Gennaro Gattuso donte të dinte se si do të reagonte skuadra pas humbjes së pësuar kundër Arsenal dhe ka qenë shumë i kënaqur me golin e realizuar në fundin e ndeshjes kundër Genoa-s. “Ishim të shqetësuar dhe unë doja të dija si do të reagonim pas humbjes sonë të parë në dy muaj e gjysmë. Kam marrë një përgjigje pozitive”, ka thënë trajneri i kuqezinjve në përfundim të ndeshjes. “Nëse shikojmë renditjen mund të themi se kemi ngushtuar shumë diferencat. Janë edhe 11 ndeshje për t’u luajtur dhe shtatë prej tyre i kemi në shtëpi. Do të shohim. Është e rëndësishmë që disa lojtarë të rikuperojnë formën”. “Më vjen mirë që Andre Silva ka shënuar golin e tij të parë në kampionat. Është shumë e vështirë të luash për një skuadër të madhe si Milan, akoma më shumë kur je i ri, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi”. Kuqezinjtë kanë fituar katër ndeshje radhazi në kampionat pa pësuar gol, por e vetmja humbje në 14 takimet e fundit ka qenë ajo e pësuar kundër Arsenal në Europa League të enjten e kaluar.

“Kam dëgjuar shumë fjalë në lidhje me gjendjen tonë fizike, por thjesht kemi luajtur keq. E kishim përgatitur ndryshe, por kemi gabuar gjithçka në pjesën e parë dhe i kemi lënë atyre shumë hapësira. Nuk mund t’i bëjmë dhurata askujt”. “Nuk do të shkojmë në Londër për një shëtitje, ne përfaqësojmë një klub të lavdishëm dhe duam të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, ka thënë Gattuso. Ishte Milan që kishte dy mundësi të mira në minutat e para me Bonaventura dhe Kaliniç, por të dy tregohen të pasaktë. Por edhe Genoa luan mirë dhe ndeshja është e hapur. Aksione ka nga të dyja krahët, por ndeshja kryesisht zhvillohet në mesin e fushës dhe si pasojë mundësitë e pastra për gol mungojnë. Pas pushimit historia nuk ndryshon. Rigoni shënon një gol në minutën e 53’, por arbitri, pasi kontrollon VAR, ka anuluar golin për pozicion jashtë loje. Pak më pas Bonaventura humbet një tjetër mundësi të mirë me topin që përfundon jashtë fushe. Edhe Suso kishte një rast të mirë nga goditja standarde, por edhe goditja e tij shkon jashtë. Por në fund të takimit ishte Andre Silva ai që shënoi një gol që i dha tre pikët Milan. Silva ka shënuar më në fund golin e parë me fanellën kuqezi në serinë A.

Exit mobile version