Gomone nga Vlora drejt Italisë, trafikantët hedhin drogën në det

Një gomone me drogë është nisur nga bregdeti i Vlorës mbrëmjen e të dielës drejt Italisë, por pas ndjekjes së Guarda di Finanza italiane dhe policisë shqiptare, trafikantët kanë hedhur drogën në det dhe janë kthyer sërish në tokën shqiptare, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se, ndjekja ka nisur në ujërat territoriale shqiptare, dhe falë bashkëpunimit në kohë reale me Policine italiane nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Policisë së Shtetit në Bari, mjeti u gjurmua nga Guardia di Finanza e Barit me një avion dhe një helikopter, si dhe helikopteri i FRONTEX.
Skafistët duke e patur të pamundur të vijonin rrugën drejt Italisë, falë ndjekjes nga 3 njësitë policore në të dy vendet, 3 skafistët janë kthyer sërish drejt Shqipërisë.
Pasi kanë përfituar nga deti i trazuar trafikantët kanë hedhur lëndën narkotike në det dhe me shpejtësi kanë dalë në breg në një zonë të vështirë dhe janë larguar.
Forcat policore që ishin në ndjekje po vijojnë krehjen e zonës për kapjen dhe arrestimin e tyre. Vijojnë operacionet e kërkimit të lëndës narkotike të hedhur në det nga trafikantët. Në këtë operacion janë angazhuar forcat e Policisë së Shtetit, Rojës Bregdetare dhe Guardia di Finanzas.

Artikulli paraprakKoloneli Walter Unger: Shqipëria të forcojë sistemet e sigurisë, rrezikohet nga sulmet kibernetike
Artikulli tjetërVrasja e biznesmenit shqiptar në Athinë, po hetohet në dy pista