Gomonia e radhës me 750 kg drogë nga Vlora kapet në Leçe

Gomonia e radhës me drogë e nisur nga Vlora është ndaluar nga autoritetet italiane. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, gomonia me drogë ishte nisur nga Vlora, ndërsa autoritetet italiane e kanë pikasur në kanalin e Otrantos. “Ka qenë një patrullë e Policisë Financiare me helikopter që ka pikasur gomonen oqeanike tek përpiqej të arrinte brigjet e Salentos në veri të Otrantos”, njoftojnë mediat italiane. Operacioni u zhvillua në ngushticën e Otrantos, ndërsa policia italiane ka arrestuar tre shqiptarët që po trafikonin drogën.
“Pas një operacioni për disa orë, mjeti lundrues është bllokuar dhe në pranga kanë përfunduar tre trafikantët shqiptarë V. L 49 vjeç; V. N. 30 vjeç dhe A. L. 49 vjeç. Në gomone ishin plot 750 kg marijuanë. Droga nëse hidhej në treg kapte vlerën e 7 milionë euro”, citojnë policinë mediat italiane. Tre kontrabandistët janë arrestuar me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të drogës, ndërsa gomonia është dërguar në Portin e Otrantos.
Kapja e gomones me rreth 750 kilogram kanabis është ngarkesa e tretë e drogës së kapur brenda 48 orëve të fundit nga policia italiane. Të dielën, mbi 500 kg kanabis u kapën nga Guardia di Finanza në një skaf që vinte nga Shqipëria. Skafi me drogë është kapur nga Guarda Di Finanza italiane dhe në të udhëtonin dy italianë, një 38-vjeçar me inicialet A.M, dhe një 60-vjeçar me inicialet A.C. Sipas mediave italiane, skafi me drogë ishte nisur nga Kepi i Rodonit, pranë zonës së Ishmit.
Bie në sy fakti që trafikantët italianë tentuan të ngarkohen me kanabis në brigjet pranë Ishmit, aty ku disa javë më parë u ul avioni i pilotit Guido Guidit. Në këtë zonë, kultivuesit kishin ngritur një pistë për t’u ulur avionët e drogës, ndërsa disa ditë më parë, aty u gjet edhe një punishte për tharjen e kanabisit.
Ditën e shtunë në afërsi të Gjirit të Lalzit në një kamion u gjetën 255 kilogramë kanabis. Dyshohej se droga po dërgohej buzë detit, për ta trafikuar më pas me gomone drejt Italisë nëpërmjet asaj që quhet Rruga e Adriatikut.
Kjo linjë trafiku u përmend pak ditë më parë edhe nga revista italiane “L’espreso” që zbuloi se veç Kanalit të Otrantos, Deti Adriatik është rruga kryesore nga ku hyn kanabisi shqiptar në Itali, prodhimi vjetor i të cilit llogaritet 900 tonë. Për transportin e saj, shqiptarët përdorin të gjitha mënyrat, deri tek motorët e ujit.
Gjatë muajit shtator, Guardia Di Finanza italiane ka mundur të sekuestrojë sasi prej disa tonë hashashi të nisura nga bregdeti i Durrësit, i kthyer në një nga bazat e nisjes së drogës. Për kalimin e drogës, trafikantët përdorin edhe Portin e Durrësit, ku vetëm pak ditë më parë u bllokua një kamion me 130 kilogramë kanabis, i fshehur në konfeksione.
Rasti më flagrant ishte ai i rrëzimit të avionit “Piper” në bregdetin e Ishmit, ku ishte ndërtuar dhe një pistë 1.5 kilometra e gjatë, e cila dyshohet se ishte në funksion të transportit të drogës nga ajri. Po në Ishëm, policia gjeti një magazinë me drogë, ku punëtorët pastronin kanabisin. Kjo banesë kishte kohë që shfrytëzohej nga trafikantët dhe ishte vetëm 1 kilometër larg pistës, ku u rrëzua piloti Guidi.
Ndërkohë, të martën një operacion i Guardia di Finanza në Rimini çoi në sekuestrimin e 2 ton kanabis, 10 kg kokainë dhe 90 kg heroinë. Policia italiane bëri të ditur se ka shkatërruar një organizatë kriminale trafikantësh droge e përbërë nga italianë, shqiptarë dhe rumunë. Operacioni i koduar “100%” i kishte nisur hetimet në gusht të vitit 2013. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, droga trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit nga Shqipëria.

Artikulli paraprakShefi i Komisariatit të Shkodrës, parcela me drogë në fshatin Brucaj
Artikulli tjetërRistani: Tahiri nervoz sot sepse humbi 11 tonë drogë në Vlorë?!