Gomonia me drogë me vlerë 8 milionë euro kapet në Leçe

Një tjetër gomone nga Shqipëria me 812 kg marijuanë është kapur dje në Leçe. Mediat italiane bëjnë të ditur se gjatë një operacioni të policisë italiane u bë e mundur kapja e mjetit lundrues me 812 kg marijuanë të ndarë në 30 pako. “Mbi 8 kuintalë marijuanë e nisur nga Shqipëria me vlerë 8 milionë euro u kap nga Guardia di Financa në brigjet e Leçes në Itali, ndërsa dy trafikantë shqiptarë në gomone u arrestuan”, shkruajnë mediat e vendit fqinj.
Sipas policisë italiane, në pranga kanë rënë dy trafikantët e lëndës narkotike, D. A dhe A. B 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës. “Guardia di Financa rreth orës 02:10 ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi në afërsi të Leçes. Policia italiane bën të ditur se, gjatë operacionit u sekuestrua një sasi mariuane prej rreth 812 kg, e ndarë në 30 pako me vlerë 8 milionë euro”, bën të ditur policia italiane.
Ndërkohë, policia shqiptare bëri të ditur se, ka bashkëpunuar me policinë italiane dhe po ditën e djeshme është bllokuar një gomone e nisur nga vendi i quajtur Kepi i Gjuhzës dhe ishte ngarkuar me drogë.
Një ditë më parë, të enjten, policia italiane sekuestroi plot 3.2 tonë kanabis gjatë dy operacioneve në Pulia dhe Leçe. 2 tonë marijuanë nga Shqipëria, 1 kg heroinë, 100 gramë kokainë, dhjetëra bimë kanabis, koli cigaresh kontrabandë e të mira materiale u sekuestruan nga policia italiane. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, trafikimi i kësaj sasie të madhe droge është zbuluar gjatë përgjimeve telefonike nga Antimafia italiane. Gjatë përgjimeve telefonike, ky trafikant lavdërohej se do ta mbushte territorin e Termolit në Molisse plot drogë e hashash nga Shqipëria.
Po ashtu mëngjesin e të premtes, Guardia di Finanza e Leçes sekuestroi 1.2 tonë kanabis. Fillimisht gjatë operacionit të Guardia di Finanza u sekuestruan mbi 100 kg drogë dhe u vu në pranga një italian dhe katër shqiptarë. Një patrullë e grupit antidrogë, angazhuar në një shërbim patrullimi në afërsi të Komunës Cerano, kanë pikasur dy makina që ishin bërë pis me baltë, një “Toyota” Yaris dhe një “Fiat” Iveco Daily, që udhëtonin njëra pas tjetrës, raportojnë mediat lokale.
Efektivët ndaluan mjetet në Roccabascerana dhe në brendësi të furgonit që drejtohej nga 48-vjeçari italian Vittorio P., gjetën 1.2 ton marijuanë të mbështjella me celefon dhe të ndarë në 66 pjesë. Ndërsa, në automjetin tjetër gjendeshin tre shqiptarë, të identifikuar si Klajdi Beqiras 25 vjeç, Blerdian Abazi 28 vjeç dhe Klaus Zenelas 23-vjeç si dhe dy shtetas italianë.

Detaje për drogën e kapur në Leçe

Policia italiane ka dhënë detaje të tjera rreth 120 kilogramëve drogë të kapuara në Leçe disa ditë më parë, ku u arrestuan katër shqiptarë. Sipas policisë, grupi drejtohej nga Denis Pastraj, 30 vjeç. Ndërsa nga informacioni i shkëmbyer me autoritetet shqiptare, rezulton se shtetasi tjetër, Blerdian Abazi, 28 vjeç, në Shqipëri është arrestuar për herë të fundit në vitin 2014, në Sarandë, teksa tentonte të trafikonte 55 kilogramë drogë.
Autoritet policore shqiptare kanë dhënë informacion dhe për Klajdi Beqirajn dhe Klaus Zenelajn, që rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë në Shqipëri. Të katërt shqiptarët janë me banim në Vlorë dhe dyshohet që në fillim të muajt gusht të kenë kaluar nga porti i këtij qyteti, sasinë e drogës të fshehur në një automjet.
Sipas mediave italiane, patrullat e policisë kanë parë anës detit një furgon “Fiat Iveco Daily” dhe një makinë “Toyota Yaris”, që po dilnin me vështirësi nga balta. Policia gjeti drogën të fshehur në 66 pako. Në kuadër të të njëjtit operacion janë arrestuar dhe dy italianët Vito Massimo Guida dhe Oristo Tatti.

Goditet grupi shqiptar në Termoli

“Ai flet shqip”, është ky operacioni i policisë italiane në Termoli. Sipas mediave të vendit fqinj është goditur një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria, duke përdorur skafe apo edhe avionët e vegjël. Katër shqiptarë janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë lënë në arrest shtëpie. Hetimet kishin dy vite që kishin nisur.
Më shumë se 20 shqiptarë në San Martino janë mbajtur nën hetim, ndërsa gjatë dy viteve policia ka arritur të sekuestrojë rreth 20 kg kanabis dhe sasi të ndryshme kokaine dhe heroine. Gjithçka nisi pas përgjimit të një telefonate, ku një trafikant shqiptar deklaronte se do të mbushte Termolin plot me drogë.

R.POLISI

Artikulli paraprakKontrata e fshehtë e Ramës, i jep Serbisë kaskadën e Drinit
Artikulli tjetërDëshmia e vëllait në Prokurori: Kompania fshehu vrasjen e Arditit