Grabiten 10 makina në dy javë në Durrës, alarmohen turistët

Grabitja e makinave në zonën e plazhit në Durrës është kthyer në një shqetësim për të gjithë pushuesit. Në dy javë në Durrës janë grabitur 10 makina tip “Benz”, ndërsa policia jo vetëm që nuk ka zbuluar autorët e grabitjeve, por ka fshehur ngjarjet. Denoncimi është bërë nga një pushues nga Tetova, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha.
“Në dy javë vidhen 10 makina “Benz” në Durrës, çunat e krimit bëjnë plazh! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook. “I nderuar, desha të denoncoj te ju një rast në plazh të Durrësit. Për 2 javë janë vjedhur 10 makina “Benz” dhe akoma as lajm nuk është bërë … Keni mundësinë të bëni diçka … jemi nga Tetova. Me respekt”, shkruan qytetari.
Tre ditë më parë, një qytetar nga Maqedonia denoncoi vjedhjen e makinës së tij poshtë pallatit në Golem, ku ai kishte marrë një banesë me qira për të kaluar pushimet verore. 45-vjeçari Eduart Bushi, ishte duke pushuar me familjen e tij në Golem, por poshtë apartamentit ku qendronte i vodhën automjetin tip “Mercedes-Benz”. Frika e denoncuesit është se mos ndoshta mjeti i tij mund të përdoret në ndonjë ngjarje kriminale.
“Nga ora 10:00 e mëngjesit kemi konstatuar se makina nuk është këtu. Rastin e kemi denoncuar në Policinë e Plazhit, po akoma nuk kemi asnjë informatë se çfarë do të bëhet. Nga vjedhësit e makinave nuk ka asnjë gjurmë se zona përreth nuk ka kamera, dhe policia thotë nuk kemi ç’të bëjmë ne”, thotë Bujari.
Bujari nuk është i vetmi pasi gjatë një jave të sezonit turistik janë denoncuar 5 raste vjedhjesh të makinave në Policinë e Durrësit nga e cila mësohet se markat e synuara janë BMË dhe “Mercedes Benz”. Të dëmtuarit shprehen se efektivët e policisë nuk po punojnë sa duhet për zgjidhjen e problemit, raporton “Top Channel”.
“Lajmërova policinë  i rashë mbi 10 herë, asnjëherë nuk përgjigjet policia. Kam shkuar shumë herë në polici, të shohim thonë, deri tani ka një muaj asnjë gjë, hiç. Vetë me mënyrat e mia i kam çuar kamerat, më thonë nuk zbulohet”, thotë një tjetër pushues.
“Ne kemi pasur një celular brenda që ka qenë në gjendje deri mbrëmë, po policia nuk besoj se e ka bërë punën e vet për celularin që ka qenë në makinë”, tha më tej Bujari nga Maqedonia. Mjeteve të vjedhura, pasi iu ndryshohet numri i shasisë, tregtohen në vendet e rajonit, ose përfundojnë për pjesë këmbimi nëpër serviset e shumta të vendit.
Ky nuk është rasti i vetëm në këtë zonë. Në 48 orët e fundit, është regjistruar një tjetër automjet i grabitur dhe një tentativë për vjedhje. Grabitjet e fundit tregojnë se hajdutët e automjeteve janë tepër të sofistikuar, pasi arrijnë të ç’kodojnë edhe makina prodhime të viteve të fundit. Gjatë dy muajve që ka nisur sezoni turistik në Durrës janë vjedhur 26 automjete, 12 mjete janë prodhime të fundit.
Vjedhjet e makinave dhe tentativat për vjedhje makinash janë bërë të shpeshta në zona të ndryshme të Durrësit, në qytet, në Plazh e rrethina. Pjesa më e madhe e autorëve nuk janë identikuar apo të jenë kapur. Pronarët e automjeteve shprehen se, situata e vjedhjeve është  alarmante për ta.
Fundjava që kaloi regjistroi mbi 10 denoncime për vjedhje banesash, dhomash apo edhe në çadrat e plazhit të pushuesve. Por edhe java ka nisur me denoncime të shumta për plaçkitje. Hajdutët futen nëpër banesat e pushuesve dhe grabisin gjithçka. Pak ditë më parë u denoncua se në Gjirin e Lalzit i ka vjedhur një pushuesi konteinerin në të cilin kishte edhe sende të tjera. Megjithëse pushuesit kanë bërë denoncimet në Policinë e Plazhit të Durrësit, asnjë rast grabitjeje nuk është zbuluar. Disa pushues nga Maqedonia janë shprehur se do të ndërpresin pushimet për shkak se kanë frikë nga hajdutët. Pre e grabitjeve kanë rënë edhe turistët e huaj.

Exit mobile version