Një pikë këmbimi valutor është grabitur mëngjesin e djeshëm në Fushë-Krujë nga persona të panjohur për policinë. Bëhet e ditur se, grabitja ka ndodhur në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Personat e armatosur, pasi kanë arritur të marrin rreth 10 milionë lekë janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 07:15, në qendër të Fushë-Krujës është konstatuar vjedhja e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të shtetasit N.A.
E mbërritur në vendngjarje policia ka nisur menjëherë mbledhjen e provave materiale, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga këqyrja në vendin e ngjarjes është konstatuar se autorët kanë thyer zgarën e hekurit të dritares së një dyqani ngjitur me pikën e këmbimit valutor dhe më pas kanë hapur murin e kësaj të fundit. Aktualisht, policia thotë se vijojnë hetimet për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Grabitjet janë shtuar së tepërmi gjatë kohëve të fundit në të gjithë vendin. Para pak ditësh, persona të maskuar dhe të armatosur grabitën 25 milionë lekë në një pikë tregtimi me shumicë në Gramsh. Gjithë lëvizjet e autorëve janë kapur nga kamerat e sigurisë të një dyqani pranë vendit të ngjarjes. Sipas dëshmisë së pronarëve pranë pikës së shumicës të grabitur dallohet një “Fuoristradë” dhe autorët e maskuar, por policia ka shkuar me vonesë në vendngjarje dhe ende nuk ka arritur të zbulojë autorët.
Po ashtu para një jave, maskat grabitën në kërcënimin e armëve 15 milionë lekë në një supermarket në qendër të qytetit të Maliqit. Kjo është e pesta grabitje që bëhet në këtë biznes, ndërsa autorët nuk janë zbuluar në asnjë rast.