Grabiten 17 milionë lekë në një pikë këmbimi valutor në Tiranë

Një pikë këmbimi valutor është grabitur gjatë natës në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë thyer pikën e këmbimit valutor dhe kanë marrë më shumë se 17 milionë lekë. Bëhet e ditur se, Exchange në rrugën “Lord Bajron” në lagjen Laprakë është në pronësi të shtetasit L. B., i cili në mëngjes ka konstatuar se i ishte  vjedhur dyqani. Sipas dëshmisë së pronarit të agjencisë së këmbimit valuator, grabitësit kanë marrë 1.200.000 lekë (të reja), 3000 dollarë amerikanë dhe 1000 dollarë kanadez.
Ngjarja ka ndodhur në Laprakë në rrugën “Lord Bajron”. Policia nuk ka arritur të zbulojë autorët e grabitjes, por bëri të ditur se po heton rojet. Shtetasit me iniciale A. P., 45 vjeç, V. M., 34 vjeç dhe L. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë SHPSF janë duke u ndjekur penalisht, pasi dyshohet se kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masat e duhura për vlerësimin e situatës.
Grabitjet me maska janë shtuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin. Dy ditë më parë u grabit një agjenci e këmbimit valutor dhe transfertave të parave në Fushë-Krujë. Një person i maskuar dhe me armë në dorë është futur në agjenci, duke i marrë shitëses shumën prej 2 milionë lekësh. Para katër ditësh, maskat grabitën tre karburante nën kërcënimin e armëve në Vlorë. Autorët e këtyre grabitjeve nuk janë zbuluar ende nga policia.

Exit mobile version