18 mijë e 500 euro janë grabitur në dy banesa në Vlorë. Bëhet e ditur se banesat janë grabitur ditën e djeshme, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Policia e Vlorës bëri të ditur se, rasti i parë është konstatuar në fshatin Mavrovë-Kotë, ku shtetasit A.D., i kanë vjedhur në banesën e tij një shumë vlerash monetare prej 17.000 euro. Shtetasi A.D., sëbashku me familjarët e tij nuk kanë qenë prezent në banesë në momentin, kur i janë marrë (vjedhur) prej shtetasit/ve ende të paidentifikuar shumat monetare.
Rasti tjetër është konstatuar në lagjen “24 Maji”, në banesën e shtetasit Ll.B., të cilit i kanë vjedhur, një shumë monetare prej 1500 euro”. Policia Vlorë po vazhdon punën intesivisht për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve të vjedhjeve, të cilat janë konstauar si edhe po vijon punën për identifikimin e kapjen e shtetasve kryerës të kësaj vepre.
Para pak ditësh, persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një pikë karburanti në Vlorë. Roja i karburantit u lidh dhe u fut në një dhomë nga grabitësit, duke mos mundur të reagonte. Persona të panjohur lidhën rojen dhe më pas grabitën nga karburanti një shumë prej rreth 350 mijë lekësh. Punonjësi i karburantit, u gjet në mëngjes nga punonjësit e një kompanie që ndërton rrugën në këtë zonë. Lelaj, iu tha hetuesve se agresorët kishin qenë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët, pasi e lidhën e mbyllën në një nga dhomat e objektit, për të kryer të qetë grabitjen. Në vetëm dy muaj, në Vlorë numërohen plot katër pika karburantesh të grabitur nga persona të armatosur të maskuar. Për asnjë prej këtyre ngjarjeve, policia nuk ka identifikuar apo arrestuar ndonjë person.