Grabiten me armë dy karburante në Tiranë

Brenda pak minutash maskat grabitën dje nën kërcënimin e armëve dy pika karburanti në Tiranë. Bëhet e ditur se 4 persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur nën kërcënimin e armëve dy karburante që ndodhen në autostradën Tiranë-Durrës. Të dy ngjarjet e rënda kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa policia i ka mbajtur të fshehta. Lajmi për grabitjen e dy pikave të karburantit u bë i ditur nga burime të policisë.
Burimet bënë të ditur se, “në orët e para të ditës së hënë, konkretisht rreth orës 02:00 në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Fllakës, 4 persona të maskuar dhe me armë, kanë marrë lekët e dy karburanteve në të dy krahët e autostradës”.
Sipas burimeve, maskat kanë ushtruar terror ndaj punonjësve të pikave të karburantit, duke i detyruar ata që të nxjerrin nga kasaforta të gjithë lekët e xhirove ditore. Pasi kanë marrë shumat e madha të parave, maskat janë larguar me një makinë “Golf”, me ngjyrë të bardhë dhe pa targa. Ende nuk është bërë e ditur shuma e parave të grabitura, ndërsa punonjësit e karburanteve kanë lajmëruar policinë në lidhje me atë që kishte ndodhur. Sipas burimeve, pas njoftimit, forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje, por nuk kanë mundur në identifikimin e autorëve dhe ndalimin e tyre.
Pikat e karburantit kohët e fundit kanë qenë objekt i grabitësve, sidomos ato që janë në autostradën Tiranë-Durrës, apo në Fushë-Krujë. Para pak ditësh, tre persona të maskuar kërcënuan me armë dhe grabitën rojet e një karburanti pranë mbikalimit të “Fllakës” në Durrës. Grabitësit arritën të marrin xhiron ditore në vlerë afro 2 milionë lekë. Rojet kanë dëshmuar se vetëm njëri nga autorët ka nxjerrë pistoletën me të cilën kërcënoi rojen që ndodhej te arka e karburantit. Dy të tjerët kanë mbështetur veprimet e shokut dhe sapo kanë marrë paratë janë larguar me një makinë tip “Ford”. Edhe në këtë rast, policia nuk ka identifikuar grabitësit.
Ministri Tahiri kërkon të mashtrojë me shifra fiktive kur flet për ndalimet e autorëve të veprave të ndryshme kriminale sidomos grabitjet, por faktet flasin vet. Grabitet me armë në mes të ditës aeroporti, bankat, bizneset, qytetarët dhe policia thjesht mbledh gëzhoja apo provat materiale në vendngjarje, kurse grabitësit lëvizin të lirë.

Exit mobile version