Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje zyrat e fabrikës në pronësi të shtetasit F.L, 54 vjeç, në fshatin Drithas-Maliq. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së 8 gushtit. Policia bën të ditur se, grabitësit kanë mundur të marrin një sasi lekësh, një njësi kompjuterike si edhe automjetin në pronësi të këtij shtetasi tip “Mercedes-Benz”. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Të martën u grabit nën kërcënimin e armëve një kazino në autostradën Tiranë – Durrës. Ndërkohë, pre e grabitjeve kanë rënë edhe pushuesit në plazhet e vendit tonë. Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia kufitare në Dhërmi, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur. Arrestimi i 17- vjeçarit R.Dh, është bërë në vendin e quajtur “Perivoll”, pasi në shezllonin ku ai po qëndronte i janë gjetur 2 telefona të llojit “Iphone”, një orë “Calvin Klei” dhe një portofol.
Sendet e gjetura në shezllonin e të riut, i përkisnin një 18-vjeçari nga Kosova. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në banesën e 17-vjeçarit është gjetur edhe një sasi kanabis prej 101 gramë. Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale, “Vjedhja” dhe “Përdorimi dhe shitja e narkotikëve”.