Një kazino është grabitur dje në mes të ditës dhe në mes të Tiranës nga një person i maskuar dhe i armatosur. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në zonën e “21 dhjetorit” në kryeqytet rreth orës 13:30. Gjatë momentit të grabitjes në kazino kanë qenë punonjësit e kompanisë si edhe disa klientë. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar në lidhje me shumën e grabitur, por burimet e policisë thonë se ajo mendohet se arrin në rreth 2 milionë lekëve. Kompania e lojërave të fatit ka pasur të punësuar një shërbim privat të ruajtjes fizike “Global” punonjësit e së cilës nuk kanë ndërhyrë për të penguar autorin.
Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik tek punonjësit e kazinosë dhe tek klientët që ndodheshin në sallë në momentin e grabitjes. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes sëbashku me grupin hetimor dhe bëri të ditur se, personi i paidentifikuar ka përdorur një pistoletë lodër për grabitjen e parave në kazino. Një shtetas ka kërcënuar me pistoletë lodër punonjësit e kazinosë dhe duke ju vjedhur atyre xhiron ditore. “Rreth orës 13:30, tek kryqëzimi i “21 dhjetorit”, në një qendër lojërash fati, ka ndodhur një vjedhje. Një shtetas ka përdorur një pistoletë kauçuku (lodër) ku ka kërcënuar punonjësin e kazinosë, duke marrë xhiron ditore. Policia në vendin e ngjarjes sëbashku me grupin hetimor po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grabitjet janë shtuar së tepërmi edhe në Tiranë para tre ditësh u grabit edhe një fast-food në Tiranë. Grabitësi pasi porositi ushqim të shpejtë dhe pasi studion vendin ku ndodheshin paratë e xhiros ditore, gjen momentin e përshtatshëm për t’i marrë. Pasi merr paratë, grabitësi largohet me shpejtësi, ndërsa punonjësi i fast-food nuk kupton asgjë.
Ndërkohë një ditë më parë u grabit një skaf në bregun e detit Adriatik. Burime nga policia thanë se, në orët e para të mëngjesit të së hënës në vendin e njohur si grykëderdhja e lumit Shkumbin është vjedhur një skaf i modelit “Mërkuri” me dy motorë në pronësi të një 34-vjeçari nga Tirana me inicialet A. T. Ka qenë vetë pronari i mjetit lundrues që ka bërë denoncimin në polici për vjedhjen. Policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë vjedhje, por ende nuk ka identifikuar autorët.
Merret peng dhe dhunohet për 3 ditë 27-vjeçarja
Një vajzë e re është mbajtur peng për 3 ditë në një lokal. Ngjarja ka ndodhur në Lezhë, thanë burime nga policia. Të njëjtat burime thanë se, është shpallur në kërkim 49-vjeçari me inicialet F. Sh., pasi për 3 ditë ka mbajtur peng në një lokal në rrugën “Shtraus” në Lezhë një vajzë 27-vjeçare nga Korça. E reja nga fshati Hoçisht i Korçës, me inicialet E. M., ishte mbajtur e mbyllur për 3 ditë në një lokal dhe gjatë kësaj kohe ishte dhunuar nga ana e të shpallurit në kërkim.
Ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Bëhet e ditur se 27-vjeçarja ka bërë denoncimin në polici. Ajo ka deklaruar para punonjësve të p[olicisë se është marrë peng dhe është dhunuar në lokalin ku m,bhaje prej tre ditësh. Ndërkohë, policia bëri të ditur se është vënë në kërkim të 49-vjeçarit me inicialet F. Sh, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.
R.POLISI