Një turiste nga Ukraina është grabitur në mes të qytetit të Durrësit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mesditën e së premtes rreth orës 12:30 minuta në qendër të Durrësit. Ndërsa lajmi u publikua ditën e djeshme nga policia. Policia thotë se, 30-vjeçarja me inicialet U.K., ka deklaruar se mesditën e të premtes në lagjen nr.13, një person i paidentifikuar rreth 16-18 vjeç, i ka marrë nga dora çantën me një shumë parash dhe dokumentet. Policia thotë se ka nisur punën për identifikimin e kapjen e autorit. Por ndonëse kanë kaluar më shumë se 32 orë, policia nuk ka mundur të zbulojë autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Grabitjet në Durrës janë kthyer në një tmerr për turistët e huaj, por edhe për kambistët. Të bësh kambistin në Durrës nuk është e lehtë, pasi përveç parave mund të rrezikosh edhe jetën. Grabitja e 15 mijë eurove nën kërcënimin e armëve të një kambisti para gjashtë muajsh ende nuk është zbardhur. Policia s’ka gjetur asnjë provë që mund të çonte në identifikimin të paktën e njërit prej tre autorëve. Kambistët durrsakë shprehen se ndjehen të pasigurtë në punën e tyre.
Dy vitet e fundit janë ndodhur shtatë sulme të egra ndaj kambistëve në Durrës. Në të gjitha rastet autorët kanë përdorur armët e zjarrit. Ngjarja më e rëndë ishte ajo e vrasjes së kambistit Fatmir Koltarja në hyrje të shtëpisë së tij. Kurse pak kohë më vonë u sulmuan dy kambistë të tjerë, Arben Çuni dhe Rajmond Çollaku në qendër të sheshit. Ata u goditën keq dhe u grabitën nga dy persona me kamoflash policie. Për të gjitha rastet ende nuk ka asnjë autor të ndaluar.