8 milionë euro janë grabitur në banesat e një ministri dhe ish-ministri të Ramës. Ngjarja ka ndodhur para disa ditësh, por është mbajtur e fshehtë nga policia. Burime pranë Policisë së Tiranës konfirmuan shumën marramendëse që u janë grabitur dy zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe bënë të ditur se po hetohet për zbulimin e autorëve.
Mësohet se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme vjedhjeje, ku janë marrë 8 milionë euro në dy banesat e ministrit dhe ish-ministrit. Kjo shifër konfirmohet nga burimet policore dhe deklarimeve të një biznesmeni pranë Kryeministrit Rama dhe vëllait të tij, Olsi Rama. Kjo ngjarje që ka ndodhur para disa javësh ku është mbajtur e fshehtë nga policia, ndërsa nuk dihet asgjë rreth identitetit të grabitësve.
Në dijeni janë vënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Burimet e policisë bënë të ditur se po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit e shtëpive të dy zyrtarëve të lartë.
Nuk dihet se kush është ministri që i kanë vjedhur shumën marramendëse të eurove në banesë. Po ashtu edhe ish-ministri, ndonëse dihet se dy ministra janë larguar nga qeveria “Rama”, duke dhënë dorëheqjen. I pari ishte ministri i Ekonomisë, Shkëlqim Cani që dha dorëheqjen, ndërsa më pas u dorëhoq edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, por nuk dihet se kujt prej këtyre të dyve iu grabitën eurot dhe sendet me vlerë në banesë.
Lajmi i grabitjes së thesarit 8 mijë euro të dy zyrtarëve të lartë të qeverisë u publikua dje nga Agjencia e lajmeve “SotNews”. Bëhet e ditur se ngjarjet e bujshme kanë ndodhur pak javë më parë, ndërkohë që janë mbajtur të fshehta nga ana e policisë. Sipas burimeve të sigurta, i pari që ka rënë pre e grabitjes ka qenë një ministër aktual i qeverisë. Persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tij dhe kanë arritur të marrin paratë që ndodheshin në banesë. Mësohet se ngjarja është mbajtur e fshehtë, pasi ministrit dhe ish-ministrit të Ramës u janë grabitur një shumë marramendëse parash dhe ata nuk kishin se si t’i justifikonin ato. Ministrat e Ramës i mbajnë paratë në shtëpi dhe nuk i dërgojnë në banka, sepse bankat nuk i pranojnë, pasi duan burimin se prej nga kanë ardhur këto para. Nuk i dërgojnë në banka, sepse janë para të vjedhura nga tenderat, korrupsioni dhe taksat e shqiptarëve.
Mjaft ministra të qeverisë aktuale janë akuzuar nga opozita dhe mediat për abuzime me tenderat, vjedhje dhe përvetësime parash dhe dalja në dritë e shifrës reale të grabitjes ka trembur ministrin, pasi nuk ka se si t’i justifikojë se ku ka marrë gjithë ato para që i mbante në banesë. Por ajo që është më e rëndë, është fakti se janë vënë në dijeni krerët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, por ngjarja është diskutuar mes tyre dhe është mbajtur e fshehtë për publikun. Kjo ka rritur akoma dhe më tepër dyshimet dhe hamendësimet se, përse fshihet një ngjarje e tillë.
Ndërkohë, Policia e Shtetit publikon në media ngjarje nga më të ulëtat, si kërcënime me Facebook, apo individë të arrestuar për drejtim të makinës në gjendje të dehur. Por në këtë rast, gjithçka ka qenë hermetike dhe janë porositur individë të caktuar që të mos flasin dhe të japin informacion për këtë çështje. Por skandali është thelluar akoma dhe më tej, pasi pre e një grabitjeje të ngjashme ka rënë dhe banesa e një ish-ministri të po këtij kabineti.
Edhe aty persona të panjohur kanë marrë euro dhe sende me vlerë, por sërish ngjarja ka mbetur e fshehur nga forcat e policisë dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme. Duke qenë se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të shtetit, është vënë në dijeni për këtë rast dhe vetë Ministria e Brendshme, por sërish është kërkuar që gjithçka të mbetet sekrete dhe të mos ketë dalje të detajeve në publik. Gjithsesi, lajmi ka rrjedhur nga brenda policisë ku sipas këtyre burimeve, shifra e parave të grabitura në dy banesat e ministrit dhe ish-ministrit të Ramës është 8 milionë euro.