Erjola AZIZOLLI
Arka e qirinjve që ndodhet pak metra larg derës së kishës ishte grabitur me gjithë shumën e lekëve të pak ditëve që ndodheshin në të, para të cilat i hedhin besimtarët për mirësi apo për blerje qirinjsh e për lutje. Por nuk ishte kjo ajo që tronditi At Kristaqin nga Mitropolia e Beratit, ndërsa bënte inventarin e sendeve në Kishën e Shën Spiridhonit në “Goricë”, brava e të cilës u gjet e thyer të mërkurën më 9 nëntor.
“Gjithë gjërat e tjera dukeshin në vendin e vend, të paprekura, të palëvizura dhe kisha ashtu siç ishte lënë një ditë më parë. Pasi pashë ikonat dhe objektet, u drejtova drejt portikut, vendit të faljes ku futet vetëm prifti e ku ruhej epitafi dhe pashë se ai mungonte”, thotë At Kristaqi.
Epitafi i vjedhur daton rreth 200-300 vite më parë është i qëndisur me ar dhe argjend. “Ai është objekt me vlera shpirtërore të mëdha dhe si i tillë ruhej brenda vendit të faljes, por për fat të keq është pikërisht ai që është vjedhur”, thotë prifti.
Nën hijen e rëndë të selvive kisha simbol e goricarëve, zakonisht e mbushur me vizitorë, është e heshtur këtë fillim nëntori me shi. Ajo është objekt i kategorisë së parë i trashëgimisë kulturore për nga vlerat që mbart dhe paraqet tipin bazilikal të shekullit XVIII-XIX. Në iventarin e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës konsiderohet si objekti që ka të ruajtura mirë të gjitha pjesët që nga mjedisi i altarit, narteksi, portiku, këmbanorja, ambienti i shërbimit dhe ikonostasi prej druri.
Jonila Demiri, zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Beratit, i tha “BIRN” se, ata po punonin për të identifikuar autorët e vjedhjes. Ndërkohë ekspertët e policisë që mbërritën në mjediset e kishës pak pas njoftimit të bërë nga kishtari, zbuluan se një nga rrugicat e kuqe të shtruara përgjatë kishës kishte lëvizur nga vendi i saj. Një pjesë e sistemit të alarmit që ndodhej brenda kishës po ashtu ishte shkatërruar.
“Në vendin e faljes së kishës, ku ndodhej dhe epitafi rreth 1.5 metra i gjatë dhe 50 cm i gjerë, gjendet vetëm korniza prej xhami. Mbi këto objekte ekspertët e policisë së Qarkut të Beratit janë duke punuar për të zbuluar gjurmë të autorëve”, i thanë “BIRN” anëtarë të grupit që po heton rastin.
Agjentët e policisë thanë edhe se, dyshonin që në kishë kishte pasur më shumë se një grabitës. “Kalimi nga muri rrethues i kishës, dëmtimi i një pjese të sistemit të sigurimit, sharrimi i bravës, heqja nga korniza prej xhami e epitafit, të gjitha këto bëjnë që ekspertët të dyshojnë se autorët kanë qenë më shumë se një person dhe të mirorganizuar”, tha një punonjës i policisë.
Vjedhja e epitafit i ka prekur fort besimtarët ortodoksë të Beratit. Liljana Bojaxhi, një banore e vjetër e lagjes Goricë, e cila jeton vetëm pak metra larg kishës, e mbështjellë me një triko për të shmangur të ftohtin që ka nisur të ndihet në lagjen nën kodër, përlotet ndërsa flet nga porta e saj e vjetër. “Epitafi për ne ortodoksët është i shenjtë. Ai simbolizon trupin e Krishtit dhe ne i lutemi atij për mirësi, për shëndet. Vlera që epitafi ka është e paimagjinueshme, pasi lidh besimtarët me Zotin dhe ne kemi humbur vlerën më të madhe që mund të ketë kisha”, thotë ajo.
Gruaja tregon se sa i rëndësishëm ishte epitafi për ta. Ajo thotë se çdo të premte para Pashkës ortodokse, epitafi vendosej në qendër të kishës dhe prej andej bëhej rrugëtimi me të nëpër qytet për t’u parë nga të gjithë, si shenjë që trupi i Zotit vdiq të premten e zezë. “Kemi dëgjuar që na është vjedhur kisha dhe herë të tjera, por vjedhja e epitafit na ka prekur të gjithëve në zemër dhe duam që policia të bëjë punën e saj për t’i gjetur ata që na i bënë këtë të keqe”, thotë e moshuara.
Vjedhja u zbulua të mërkurën në mëngjes nga Robert Stavri, kishtari më i ri për nga vitet si shërbyes në Shën Spiridhon. Ai tregon se pasi hapi portën kryesore ashtu si dhe çdo ditë tjetër për të pritur besimtarët apo vizitorët që nuk mungojnë në këtë lagje dhe këtë fillim nëntori me shi dhe kaloi oborrin pa që brava e derës së kishës ishte sharruar dhe dera ishte e hapur.
I alarmuar Stavri filloi të kontrollonte me sy nëse mungonte diçka, por gjithçka iu duk në vendin e vet. Ai njoftoi Mitropolinë, policinë dhe shoqërinë e sigurimit të kishës. “Përveç bravës asgjë tjetër nuk tregonte për ndonjë grabitje të mundshme dhe për këtë menjëherë kontaktova shoqërinë e sigurimit të kishës dhe policinë”, tha ai për “BIRN”, ndërsa përpiqet të rregullojë bravën e sharruar të derës së brendshme të kishës nga ku autorët u futën për të grabitur atë.
Rastet e vjedhjeve, tentativat për vjedhje nuk janë të panjohura për Metropolinë e Beratit. Fakti që objektet kishtare janë mjaft të pasura me ikona që datojnë nga qindra në mijëra vjeçare i vë ato shpesh në rrezik.
Katër vite më parë Kisha e Shën Spiridhonit u tentua të grabitej, por autorët u larguan me shpejtësi, pasi u pikasën nga kujdestari i kishës. Një vit më pas, më 2013, në të njëjtën kishë u vodh gjeneratori që ndodhej në oborrin e saj, ndërsa autorët nuk u gjetën. Po ashtu edhe Kisha e Shën Mëhillit që ndodhet në lagjen “Kala” u tentuat të vidhej pesë vite më parë.
Pas këtyre rasteve Metropolia ka marrë masat duke i pajisur kishat me sistem alarmi, por duket se as kjo nuk ka ndihmuar. Një punonjës i shoqërisë që ka marrë përsipër këtë sistem sigurimi i tha “BIRN”, në kushte anonimiteti, se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës është dëgjuar një alarm nga kisha dhe menjëherë inspektorët e saj kanë shkuar dhe kanë konstatuar se porta kryesore e kishës ishte e mbyllur dhe asgjë tjetër nuk është vënë re. “Vetëm kleri gëzon të drejtën për hyrjen në mjediset e brendshme dhe kishtari ka çelësat që hyn brenda saj. Inspektorët mbërritën menjëherë pas rënies së alarmit në portën kryesore, por aty askush nuk kishte prekur dhe për këtë ata janë larguar pa dyshuar”, pohoi punonjësi i kompanisë së sigurimit.
Që prej të mërkurës në mesditë një makinë e grupit të gatshëm qarkullon orë pas ore në rrugën kryesore të lagjes muzeale “Goricë”, ndërkohë Kisha e Shën Spiridhonit qëndron e mbyllur dhe At Petraq Sismia që është dhe banor i kësaj lagje, është personi i fundit që largohet nga kisha pasi policia ka kryer veprimet hetimore.
Ai thotë se kisha dhe epitafi janë të shenjta. “Më 20 mëntor të vitit 1990 Kisha e Shën Spiridhonit hapi dyert për rikthimin e besimit në Shqipëri, duke u bërë kisha e parë në vend që rihapet për të kryer rritet fetare, pas shumë vitesh ndalim nga sistemi dhe prandaj kjo kishë është e shenjtë për të gjithë besimtarët”, thotë ai i trishtuar prej grabitjes.
Ashtu si kisha për At Petraqin dhe epitafi është i shenjtë, pasi ka jo vetëm vlera si objekt i vjetër kishtar, por me të janë të lidhur shprirtërisht gjithë besimtarët. “Epitafi është pjesë e procesionit të kishës çdo të premte të zezë para Pashkës dhe humbja e tij është humbje për të gjithë besimtarët dhe unë uroj që ai të gjendet dhe të vendoset në vendin që i takon”, thotë ai.