Është liruar nga qelitë e paraburgimit Fatos Kaja, ish-nënprefekt i Tiranës, i arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Ranishtja” në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Spillesë. Kaja vinte në këtë detyrë i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e konsideron arrestimin të padrejtë, duke theksuar se nga ekspertiza ka rezultuar se, firma e zyrtarit të lartë ishte falsifikuar. Kaja ishte gjithashtu drejtues lokal i LSI-së në Kavajë.
Kjo parti pretendon se, firma e falsifikuar është provuar shkencërisht nga ekspertimet e kryera nga Prokuroria e Kavajës, sipas të cilës, firma e Kajas është falsifikuar në 5 raste. Pas kësaj, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Detyrim paraqitje”. Kaja është arrestuar më 15 nëntor të vitit të shkuar bashkë me 10 zyrtarë të tjerë, të cilët u akuzuan për grabitjen e rreth 36 hektarëve tokë.