Grabitja, Llalla nis hetimet për zyrtarë të lartë në polici

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka urdhëruar nisjen e hetimeve për disa drejtues dhe zyrtarë të policisë në lidhje me grabitjen e ndodhur në Aeroportin “Nënë Tereza”. Hetimet do të përfshijnë ata drejtues që konsiderohen përgjegjës për zbatimin e masave të shtrënguara në sigurinë në aeroport, pas sulmeve terroriste në Stamboll.
Në vlerësimin e kryeprokurorit Llalla, masat e sigurisë në Rinas rezultuan joefikase dhe kjo u dëshmua gjatë grabitjes së parave në pistën e fluturimeve. “Kryeprokurori ka angazhuar drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore për këtë rast të rëndë”, thuhet në një komunikatë.
Prej dy ditësh, ende nga polica nuk ka informacion për hetim të mundshëm të këtyre shkeljeve të masave, ndërsa nuk mungojnë tentativa për t’ia faturuar përgjegjësinë shoqërive private të ruajtjes.
Burimet policore thonë se 3 grabitësit kanë mundur të marrin 10 milionë në valutë, para të cilat kishin si destinacion Vjenën. Policia e Tiranës ndër të tjera, sqaron se ka dyshime që grabitësit mund të kenë bashkëpunëtorë në radhët e rojeve privatë. Kjo, pasi këta të fundit kanë thyer rrgullat e sigurisë. Ata, gjithnjë sipas policisë duhej të ishin 7 roje dhe jo 3.
Sipas Policisë së Tiranës, rojet private qëndronin jashtë makinës. “Rojet private qëndronin jashtë makinës dhe thanë se janë hutuar në momentin e grabitjes”. Policët privatë po mbahen të shoqëruar në polici. Mësohet gjithashtu se po kërkohet bashkëpunimi i Policisë së Korçës, pasi makina e grabitësve është vjedhur në Pogradec.
Policia e Durrësit ka shoqëruar 10 persona, 5 të policisë private “Nazeri 2000”, që kishin për detyrë sigurimin e parave të bankës dhe 5 të policisë private “Jaguar” edhe ata të ndodhur në vendngjarje, teksa shoqëronin makinën që transportonte para për një tjetër bankë. Po sipas të njëjtave burime janë shoqëruar edhe titullarët e kompanive private. Burime të policisë, thonë se policët e kompanisë “Jaguar” nuk kanë ndërhyrë në momentin e grabitjes. 16 persona ka shoqëruar edhe Policia e Krujës. Bëhet me dije gjithashtu se ka dyshime që grabitësit të jenë larguar në Malësinë e Niklës.
Katër persona të armatosur kanë mundur të hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, mesditën e të enjtes, pasi kishin prerë menteshat e portës së jashtme, e cila ndodhet nga krahu i rrugës Rinas-Fushë Krujë. Ata kanë mundur të grabisin 10 milionë euro në valutë. Sasia monetare e grabitur po transferohej me mjetet e SHPSF “Nazeri 2000”, nga terminali drejt avionit. Gjatë ndjekjes së autorëve, policia ka gjetur të djegur mjetin tip ‘Benz’, që dyshohet se u përdor nga autorët.

Grabitja në Rinas, 5 persona në pranga, Prokuroria: Personeli i sigurimit shpërdoroi detyrën

Pesë drejtues dhe punonjës të kompanisë private të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, “ICTS”, janë prangosur mbrëmjen e djeshme, pasi Prokuroria e Krujës ka urdhëruar ndalimin e tyre, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve, dy ditë më parë.
Prokuroria e Krujës bën të ditur se ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme se, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit “ICTS” dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke krijuar mundësinë që tri persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave, në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni. Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit.
“Prokuroria e Krujës ka urdhëruar ndalimin e disa drejtuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve, ngjarje e ndodhur të enjten, në datë 30.06.2016. Prokuroria e Krujës ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme se, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit ‘ICTS’ dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke krijuar mundësinë që tri persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni. Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit”, sqaron Prokuroria.
Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Krujës, e cila po heton mbi veprimet e personelit të sigurimit, dyshon se kanë shpërdoruar detyrën dhe ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit:
1. Arben Karafili, drejtor operacional i kompanisë “ICTS”.
2. Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë).
3. Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë).
4. Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë.
5. Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.
Urdhrat e ndalimit janë ekzekutuar nga ana e forcave të policisë mbrëmjen e së premtes.
Ndërkohë, hetimi për vjedhjen po kryhet nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda.

Reagon Shoqata e Bankave: Grabitjet nuk janë rastësi

Vjedhja e një shume të madhe parash, që po transferohej nga një bankë në Aeroportin e Rinasit ka shqetësuar ndjeshëm bankierët. Kjo është hera e tretë brenda 18 muajsh që vidhen paratë, që transportohen nga bankat dhe po cënon mënyrën e të bërit biznes të një prej sektorëve më të rëndësishëm në vend.
I kontaktuar nga “Monitor”, Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave tha se ky është një shqetësim i madh për sistemin, pasi krijon pasiguri të lartë dhe rrit kostot, pasi këto janë humbje të drejtpërdrejta. “Me të dhënat e deritanishme nuk mund të paragjykojmë lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që policia e ka nën hetim”, thotë ai. Gjithsesi, ai shton se mirë kur ndodhi në të dalë të bankës, e pastaj në rrugë, por kjo brenda në aeroport të lë pa fjalë.
“Duhet parë një analizë më e thelluar, pasi kur bëhen tre raste brenda një kohe të shkurtër, nuk është më rastësi”, thotë ai. “Mund të bëhej gjëmë më e madhe, grabitësit mund të futeshin edhe në avion.
Brumbulli shton se, bankat nuk kërkojnë gjëra të mëdha, por elementët bazë të sigurisë. Ai thotë se duhet bashkëpunim për të diskutuar nëse ka dobësi ligjore apo dhe arsye të tjera. “Ka diçka që nuk shkon. Për një vit e gjysmë  është vjedhja e tretë, edhe pse bankat mundohen të respektojnë kushtet e ruajnë konfidencialitin”. Kjo rrit pasigurinë e bërjes së biznesit dhe e shoqëron atë me kosto shtesë.
Ditën e djeshme, tre persona me armë hynë në pistën e avionëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, rrëmbyen disa thasë me para që do të transferoheshin jashtë me avionë, dhe u larguan pa arritur të kapeshin nga policia.
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit.

R.POLISI

Artikulli paraprakNuk mund të shpikim një model drejtësie alla shqiptar
Artikulli tjetërJa çfarë thotë ligji për rolin që ka Policia në Aeroport