Grabitja në Rinas, Prokuroria akuza policisë: Nuk na njoftoi për furgonin

Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila po drejton hetimet për grabitjen e 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, nuk ka patur informacione për furgonin e gjetur nga policia, i cili u përdor nga  grabitësit për t’u larguar. Burime nga ky organ konfirmojnë se nuk janë në dijeni të një fakti të tillë dhe se nuk janë njoftuar nga policia se është gjetur një mjet i dyshuar se është përdorur në grabitjen e 30 qershorit. Hetuesit thonë se, i kanë deleguar policisë të kryejë veprime hetimore, por për gjetjen e një mjeti nuk kanë informacion prej saj.
Gjithashtu, Prokuroria thotë se është në pritje të ekspertizës së parukes së gjetur në vendin ku u dogj makina, me të cilën grabitësit u larguan nga pista e Rinasit. Prokuroria duket se do ta ketë të vështirë të bjerë në gjurmët e autorëve të grabitjes spektakolare në Rinas, pasi prova më e fortë për të arritur tek grabitësit është dëmtuar nga policia. Furgoni me të cilin dyshohet se u larguan tre personat që kryen grabitjen dhe i sekuestruar nga policia nuk ka shërbyer për hetimin.
Mjeti u gjet i braktisur disa ditë më parë, i grabitur në zonën e pallatit me shigjeta dhe ai u dërgua nga efektivët e policisë në Komisariatin Nr.2 dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku ndodhet aktualisht.
Mjeti u gjet më 2 korrik i braktisur poshtë urës që po ndërtohet për Unazën e Madhe, te pallati me shigjeta. Një patrullë shkoi pranë vendngjarjes dhe gjeti makinën të parkuar dhe me bllokazh ndezur. Por në vend që ta mbanin nën mbikëqyrje, pasi të dyshuarit mund të ndodheshin afër dhe të ktheheshin për të marrë mjetin, efektivët e policisë e dërguan atë në komisariat. Një veprim i tillë i ka hequr çdo mundësi grupit hetimor për të qenë sa më pranë identifikimit të autorëve, kjo pasi efektivët me veprimet e tyre kanë fshirë dhe gjurmët e gishtërinjve, të cilat do t’i shërbenin Policisë Shkencore.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, organi i akuzës nuk është njoftuar për gjetjen e furgonit nga policia, ndërsa largimi i tij nga efektivët për në Komisariatin Nr.2 ka prishur provat, pasi në automjet gjenden gjurmë të efektivëve të policisë. Dyshohet se ky veprim ka qenë i qëllimshëm nga policia për të prishur provat e autorëve që grabitën 10 milionë euro në pistën e Aeroportit të Rinasit më 30 qershor.
Deri tani nuk ka asnjë emër të dyshuari autorësh për grabitjen. Pasi dogjën makinën me të cilën u futën deri në pistën e avionëve në Aeroport, 3 grabitësit u larguan nga vendngjarja me një furgon mallrash. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, mjeti duket që largohet nga vendi, ku u dogj makina, të cilën e gjeti policia. Pas djegies së makinës që përdorën në pistën e avionëve, autorët mendohet se hipën në një furgon që u fiksua të largohet në drejtim të Laknasit dhe të humbasë gjurmët, i cili më pas u gjet tek Pallati me Shigjeta.
Personat që udhëtonin me furgonin që u gjet i braktisur policia nuk mundi t’i identifikojë. Për këtë, dyshohet se ka një dekonspirim nga radhët e policisë. Ka dyshime se personat që udhëtonin në furgon të jenë njoftuar se ishin në ndjekje policore.
Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka në dorë hetimin e çështjeve, dyshon se kemi të bëjmë me një grup profesionistësh që kanë kryer edhe dy grabitje të tjera. I njëjti furgon, thonë të njëjtat burime, dyshohet se është përdorur edhe në grabitjen e dhjetorit në Laknas, ku u grabitën 3,8 milionë euro. Sqarohet se karakteristikat e mjetit i ishin dhënë të gjitha komisariateve në Tiranës. Hetimet po vijojnë në gjetjen e elementëve të përbashkëta mes grabitjes së fundit dhe dy të mëparshmet, pasi dyshohet se është i njëjti grup.

R.POLISI

Exit mobile version