Policia ka refuzuar që t’i përgjigjet menjëherë thirrjes së autoriteteve të aeroportit për kapjen e grabitësve të mbi 10 milionë eurove ndonëse furgoni ka qenë në pistë duke pritur sipas vetë policisë të deportuarit nga vende të tjera. Ky është ndër faktet më të rënda në atë që mund të konsiderohet si grabitja e shekullit dhe implikon direkt policinë në skemën e grabitësve.
PD ka denoncuar dje fshehjen e disa fakteve tronditëse në lidhje me grabitjen në pistën e Aeroportit të Rinasit. Fakte që dëshmojnë implikimin e shefave të rëndësishëm të Tahirit në këtë histori.
“Fakte të pakundërshtueshme tregojnë se policia është njoftuar nga autoritetet e aeroportit brenda 1 minuti, pra sapo ngjarja ka ndodhur, por përgjigjja ka qenë se furgoni i policisë ndodhet në pistë për të pritur dhe shoqëruar persona të deportuar.
Edhe pse një furgon i grupit të gatshëm gjendej aty i dislokuar, pas sulmeve të Stambollit, policia ka arritur në vendngjarje vetëm pas 30 minutash”, tha dje Alibeaj në denoncimin para mediave.
Është konstatuar se forcat e policisë po ashtu nuk kanë ngritur menjëherë postblloqet në zonën nga Rinasi në Tiranë dhe nga Rinasi në Fushë-Krujë apo nga Rinasi në Vorë. Mosngritja e këtyre postblloqeve ngre hije të reja dyshimi mbi rolin e forcave të policisë, duke të kujtuar skemën e njëjtë edhe në vrasjen e bankierit Santo, pasi edhe atëherë postblloqet nuk u ngritën nga policia.
“Qeveria, Rama-Tahiri, po tentojnë të servirin të dhëna të gënjeshtërta për shumën e grabitur, duke u përpjekur të zvogëlojnë përmasat e grabitjes me armë e me maska në pistën e avionëve, ndërsa e vërteta është se bëhet fjalë për disa milionë euro. Burime serioze pranë bankave të nivelit të dytë flasin për një shumë rreth 10 milionë euro.
Të gjitha këto rrethana tregojnë dhe një herë fuqinë që ka marrë krimi me Ramën e Tahirin dhe dëshmojnë inkriminim të pikave kyçe të policisë”, tha Alibeaj.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me intensitet të gjithë rrethanat e dyshimta e të nxjerrë përgjegjësitë nga i pari tek i fundit, për grabitjen e armatosur të Aeroportit të Rinasit që është një prej goditjeve më të mëdha të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare në vend.
Avokati i Ramës administrator i kompanisë përgjegjëse për grabitjen në Rinas
Administratori i kompanisë “ICTS” që është përgjegjëse për sigurinë e pistës së Aeroportit të Rinasit është Eno Bushi, i cili rezulton të jetë avokati i Kryeministrit Edi Rama dhe jurist i Partisë Socialiste në KQZ.
Sipas ekstraktit të mëposhtëm të QKR-së, kompania “ICTS” është themeluar në vitin 2009. Eno Bushi rezulton ta ketë marrë detyrën e administratorit të kompanisë “ICTS” në mars të vitit 2013, disa muaj përpara se “Rilindja” të vinte në pushtet.
Një fakt tjetër interesant që ngre dyshime të forta është heshtja e qeverisë dhe autoriteteve përkatëse për administatorin e kësaj kompanie, Eno Bushi. Policia ka arrestuar 5 punonjës të aeroportit si të dyshuar, nga të cilët 3 prej tyre ishin punonjës të “ICTS”, por në asnjë rast nuk e ka përmendur emrin e Bushit, si administratori i kompanisë “ICTS” dhe përgjegjësi ligjor i saj.
Skandali i grabitjes ka mbetur në “oborrin” e Partisë Socialiste, ku një “rilindas”, jurist i partisë dhe avokat i Kryeministrit Rama është administrator i kompanisë “ICTS”. Tre punonjës të kësaj kompanie u arrestuan si të dyshuar për grabitjen e parave në aeroport, por çuditërisht, administratorit Eno Bushi, i cili është përgjegjësi kryesor ligjor i kompanisë “ICTS” policia nuk ia përmend emrin në asnjë rast.
Në vitin 2014, Bushi është përplasur me ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e akuzoi atë se ka ndihmuar pilotin italian, Giorgo Riformato (piloti që u dënua për avionin me drogë në Divjakë), të kalonte në aeroport. Në atë kohë, Bushi i kallëzoi në Prokurori ish-Kryeministrin për shpifje, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim për dëm moral.
Shakaja e policisë me shpërblimin
Policia e Durrësit i drejtohet për ndihmë qytetarëve, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre për identifikimin dhe kapjen e grabitësve të Rinasit.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Durrësit njofton se vë në dispozicion shumën prej 30.000 eurosh për çdo shtetas, i cili jep informacion të rëndësishëm që do të ndihmojë grupin hetimor në identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe informacion të nevojshëm në lidhje me lëvizjet paraprake të mjetit me të cilën u krye vjedhja.
“Ne ju garantojmë që çdo informacion do të vlerësohet maksimalisht nga grupi hetimor dhe do të ruhet anonimati i çdo qytetari që do të bashkëpunojë me policinë. Për çdo informacion jeni të lutur të telefononi në numrin 0694110217 ose të shkruani në adresën e-mail, [email protected], si edhe në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, Drejtoria e Policisë Qarku Durrës”, njofton policia.
Policia duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin siguron se Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, po shfrytëzon të gjitha kapacitetet e saj për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.