Një grabitje me armë ka ndodhur në orët e mesnatës të së dielës në Kurbin. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Gallatë të Kurbinit, ku dy persona kanë qenë duke ecur me makinë, kur u është zënë rruga. Kanë qenë 4 persona me maska, të cilët rreth orës 22:00, në fshatin Gallatë, i kanë marrë portofolin me 300 mijë lekë, 47-vjeçari me inicialet V.T., banues në këtë fshat, i cili drejtonte mjetin tip “Benz”. Bashkë me këtë person në makinë ka qenë edhe një pasagjer me inicialet N.T. Policia thotë se ka marrë denoncimin, ndërsa është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar të kësaj grabitjeje.
Po ashtu, një i ri u grabit të shtunën në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Sipas policisë, autorët e kësaj ngjarjeje janë Albin Zeqirllari, 26 vjeç dhe E. K., 17 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Që të dy u arrestuan. Policia tha se ata u kapën, pasi shtetasi F. Sh., 18 vjeç, kishte bërë kallëzim ndaj tyre për grabitje. Në afërsi të Sheshit “Nënë Tereza”, pas një mosmarrëveshje, shtetasit Albin Zeqirllari dhe E.K., e kanë kanosur dhe goditur atë, duke arritur t’i marrin telefonin celular të markës “Samsung”, një orë dore të tipit “Guess” dhe një varse floriri. Këto sende atij do t’i ktheheshin, pasi t’u jepte 20.000 lekë. Policia i arrestoi dy të rinjtë dhe u sekuestroi edhe orën dhe celularin “Samsung Galaksi S4”.