Grabitje në Tiranë, i merren 1.2 milionë lekë një të riu

Një tjetër grabitje me armë ka ndodhur në Tiranë. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:00 tek nënkalimi në Sauk. Dy persona nën kërcënimin e një thike i kanë grabitur 1.2 milionë lekë një të riu. Sipas burimeve, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit me inicialet, A. D., dhe F. D., të moshave 30 dhe 35 vjeç. Dy vëllezërit akuzohen se, në Sauk kanë grabitur me thikë D. T., 26 vjeç nga Tirana. Dy vëllezërit e shpallur në kërkim janë nga fshati Pllumas i Tiranës. Policia ende nuk ka mundur të gjejë dy autorët e grabitjes.
Para tre ditësh u grabit një kazino në mes të ditës në Tiranë nga një person i maskuar dhe i armatosur. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “21 dhjetorit” në kryeqytet, ndërsa gjatë momentit të grabitjes në kazino kanë qenë punonjësit e kompanisë si edhe disa klientë. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar në lidhje me shumën e grabitur, por burimet e policisë thonë se ajo mendohet se arrin në rreth 2 milionë lekë. Kompania e lojërave të fatit ka pasur të punësuar një shërbim privat të ruajtjes fizike “Global” punonjësit e së cilës nuk kanë ndërhyrë për të penguar autorin.
Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik tek punonjësit e kazinosë dhe tek klientët që ndodheshin në sallë në momentin e grabitjes. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorin e grabitjes.

Artikulli paraprakGrabitja në Rinas, Apeli nuk liron punonjësit e aeroportit
Artikulli tjetërProkuroria: Hetimi i gjyqtares u dekonspirua para arrestimeve