Grabitjet më të mëdha që kanë ndodhur dy vitet e fundit janë ende pa autorë. Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga grabitja spektakolare e ndodhur në pistën e Aeroportit të Rinasit, ku tre persona të armatosur dhe të maskuar hynë në pistë dhe grabitën afro 1 milion euro të një banke të nivelit të dytë, Policia dhe Prokuroria nuk kanë ende asnjë të arrestuar si autor të ngjarjes.
Të vetmit që duket se do të gjykohen janë punonjësit e kompanisë së sigurimit të aeroportit dhe shoferi i furgonit që trasportonte shumën e parave, ndaj të cilëve është ngritur akuza për “shpërdorim detyre”. Ndërkohë gjurmët e grabitësve të vërtetë nuk dihen.
Grabitje të tjera i kanë tashmë dosjet në arkiva, ku sërish nuk ka emra autorësh.
Në 13 shkurt 2015 në filialin e një banke të nivelit të dytë tek Treni, grabitësit mundën të merrnin 2.8 milionë euro në momentin që po shkarkoheshin nga makina e kompanisë së sigurisë.
Të vetmit që u gjykuan dhe u dënuan për shpërdorim detyre ishin punonjësit e sigurisë së bankës dhe kompanisë private. Për këtë ngjarje nuk është arrestuar dhe dënuar asnjë nga autorët e dyshuar.
Po në 2015-ën një tjetër grabitje ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës. Furgoni i blinduar i një kompanie private u sulmua nga persona të armatosur dhe të maskuar dhe agresorët arritën të merrnin një shumë prej 3.8 milionë euro, që do të niseshin drejt Rinasit. Përsëri autorët nuk u gjetën.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe grabitja e ndodhur pak ditë më parë në qendër të kryeqytetit afër “Pazarit të ri”, ku agresorët kanë mundur të çajnë murin e argjendarisë dhe arritën të merrnin të gjithe sasinë e floririt që ndodhej në dyqan, deri tani edhe për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë person të dyshuar apo të arrestuar. Edhe kjo dosje do t’i bëjë shoqëri stivës së gjatë të grabitësve në kërkim.