Granit Xhaka qëndron te Zvicra

Është Granit Xhaka i pari në radhën e lojtarëve kosovarë që duhet të vendosin nëse do të bashkohen me përfaqësuesen e vendit të origjinës së tyre pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Mesfushori me origjinë shqiptare del hapur me një vendim të qartë, duke deklaruar se nuk do të bashkohet me skuadrën e Albert Bunjakit për eliminatoret e Botërorit 2018. Lojtari i Borussia Mounchengladbach që aktualisht ndodhet bashkë me skuadrën gjermane për një turne të shkurtër në Zvicër, i ka idetë e qarta.
“Unë vendimin tim e kam marrë disa kohë më parë për të luajtur për Zvicrën. Në atë periudhë nuk e kisha idenë se, Kosova do të anëtarësohej në FIFA. Në familjen time, kjo nuk ka qenë asnjëherë një çështje shqetësuese. Unë kam zgjedhur Zvicrën dhe kaq”, thekson vëllai më i vogël i familjes Xhaka. Në vijim të prononcimit të shkurtër dhënë për mediat zvicerane, ai theksoi se të rinjtë kosovarë duhet të kenë më shumë hapësira në përfaqësuese. Xhaka deklaroi gjithashtu se Shaqiri, Behrami apo vetë ai kanë kontribuar me imazhin e tyre për të dhënë kontributin e tyre për Kosovën.

Artikulli paraprakSërish në formacionin më të mirë të javës
Artikulli tjetërChampions League Aziatike, shënon Berisha