Graniti apo Taulanti?

Graniti kundët Taulantit. Sfidë vëllazërore mes Xhakajve në përplasjen e nxehtë Zvicër – Shqipëri, e para për kuqezinjtë në një event madhor siç është kampionati europian. Më pak se dy muaj nga ndeshja, Granit Xhaka, flet për betejën që e pret me vëllain e tij më të madh, që ndryshe nga ai zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat e kombit të tij.
“Hipoteza më e mirë për ne të dy do të jetë që në minutën e dytë të ndëshkohemi me karton të kuq dhe të dalim nga fusha. Atëherë do të jetë më e lehtë për ne. Le t’i lëmë shakatë mënjanë. Do të jetë ndeshje e veçantë për familjen tonë. Përballja me njëri-tjetrin është gjëja e fundit që kemi dashur, si ne ashtu edhe prindërit tanë. Mirëpo nuk mund të bëjmë asgjë, duhet të pajtohemi me realitetin. Ne jemi profesionistë dhe do të dimë si të sillemi në fushë. Le të fitojë më i miri”, u shpreh Granit Xhaka.
Cili është raporti që vëllezërit Xhaka kanë me Kosovën, prejardhjen e prindërve të tyre. “Ne kemi lindur dhe jemi rritur në Zvicër. Për herë të parë e kam vizituar Kosovën kur isha 12 vjeç. Kalonin pushimet me gjyshërit në verë dhe në dimër”, tha ai.
Përse Graniti zgjodhi Zvicrën, ndërsa Taulanti Shqipërinë? “Është shumë e thjeshtë. Shqipëria nuk pati asnjë interes për mua kur më kërkoi Zvicra, ndërsa me Taulantin ndodhi e kundërta”, tha Graniti.
Për mesfushorin i Borussias së Moneshengladbahut, tre janë favoritët kryesorë për të triumfuar në Europian. “Gjermania është kampione e botës në fuqi dhe automatikisht mbetet favoritja kryesore. Nuk duhet nënvlerësuar Franca, e cila ka një skuadër super. Ndoshta e tillë është edhe Belgjika”, tha më tej Graniti.
Përsa i përket Zvicrës, Granit Xhaka thekson se nuk ka individë të veçantë që të ndihen më të rëndësishëm se të tjerët, sikurse ndodh në përfaqësuese të tilla si Brazili apo Argjentina ku luajnë Neymar e Mesi, kështu që pika e saj më e fortë është loja në grup.

Artikulli paraprakEuro 2016 në “gjendje të jashtëzakonshme”
Artikulli tjetërMavraj ndëshkohet me gjysmë kartoni