Gratë meritojnë të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura

Nga Myzafer Elezi

Ngjarjet tragjike që kanë ndodhur në Qarkun e Vlorës në ditët e fundit, ku dy gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës së bashkëshortëve të tyre, janë një tragjedi e rëndë që trondit çdo ndërgjegje njerëzore. Këto raste janë një kujtesë e hidhur e një realiteti të dhimbshëm që shumë gra përballen çdo ditë në Shqipëri.

Këto ngjarje të rënda janë një akuzë e drejtpërdrejtë për dështimin e institucioneve ligjzbatuese në përmbushjen e përgjegjësive të tyre. Nuk është e mjaftueshme që të dënojmë këto akte vetëm pasi ndodhin. Është e nevojshme që strukturat përkatëse të ndërhyjnë paraprakisht për të parandaluar që gratë të mos bëhen viktima të një sistemi që nuk i mbron ato.

Sot, përballemi me një realitet të hidhur ku gratë në Shqipëri vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës dhe frikës, në vend që të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura. Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa urgjente për të siguruar mbrojtje reale për gratë që janë në rrezik. Asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme dhe e pambrojtur në shtëpinë e saj.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë dënon me forcë aktet e tmerrshme të dhunës që kanë çuar në humbjen e jetës së dy grave në Qarkun e Vlorës, në vetëm dy ditë. Me qëllim që jeta e asnjë gruaje të jetë e rrezikuar, kërkojmë nga qeveria dhe institucionet përkatëse që:

– të marrin përgjegjësitë e tyre me seriozitetin më të madh dhe të zbatojnë ligjet për mbrojtjen e grave me rigorozitet të plotë;

– të rritet ndërgjegjësimi dhe veprimi ndaj rasteve të dhunës në familje, si dhe të ndërmerren masa të menjëhershme për të mbrojtur gratë që jetojnë nën kërcënim;

– policia dhe organet e drejtësisë të jenë më vigjilente dhe më të përgjegjshme në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke i konsideruar ato si çështje prioritare.

Ky është një moment që kërkon veprim, përgjegjësi dhe llogaridhënie. Koha për justifikime ka kaluar. Tani është koha për të ndërmarrë veprime konkrete dhe të qëndrueshme për të mbrojtur jetën e grave dhe për të parandaluar që këto tragjedi të mos përsëriten kurrë.

Gratë meritojnë të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura.

Artikulli paraprakKryetari i PD – Demokratët Euroatlantikë, Sabah Sheta, thirrje qytetarëve: Protestoni për të drejtën tuaj!
Artikulli tjetërShantazhuan 14-vjeçaren me video e foto intime dhe i morën shuma parash, arrestohen dy vëllezërit! Si përdornin rrjetet sociale për të futur në kurth persona të ndryshëm