Ish-i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ka zhvilluar një intervistë me Ramën.
Grenell e ka pyetur Ramën lidhur me shpalljen ‘non-grata’ të ish-kryeministrit Berisha. Në përgjigjen e tij kreu i qeverisë tha se ky është një realitet pikëllues dhe se askush nuk është mbi ligjin.
“Do të thoja se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush s’është mbi ligjin”, tha Rama.
Gjithashtu Rama kritikoi edhe Bashkimin Evropian për shtyrjen e datës së Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
“BE-ja ka dhënë vlerësimin dhe premtimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Në anën tjetër s’ka vendim sepse BE-ja është e bazuar në vendim-marrjen e të gjitha shteteve dhe pastaj kur një shtet s’pajtohet gjithçka ndalohet”, u shpreh Rama.
Kryeministri e falënderoi Grenellin për kontributin e tij në iniciativën për krijimin e mini-Shengenit ballkanik.
“Së pari, më duhet ta përsëris që ju s’jeni më në rolin e kontribuesit të iniciativës së mini-shengenit për të cilin ju falenderoj për rolin tuaj. Në anën tjetër është një konflikt i pazgjidhur shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por është e mundshme që të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave”, tha kryeministri i Shqipërisë.