“Greqia e mban në fuqi Ligjin e Luftës, sepse s’do t’ua kthejë tokat”- Çështja e Çamërisë në dosjet diplomatike dhe heshtja komuniste! Ç‘përmbante kërkesa urgjente e konsullit Mid’hat Frashëri

DR. HALIL HYSENI*/ Materialet arkivore për Çamërinë dëshmojnë për mprehtësinë e çështjes, dëshmojnë për vendin që i është rezervuar dhe i rezervohet asaj në gjerësinë e marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës helene. Arkiva pasqyron punën e bërë nga përfaqësuesit, veprimtarët, politikanët apo diplomatët. Ndër arkiva gjenden një sërë dokumentesh, që trajtojnë dhe e adresojnë çështjen, ashtu siç gjen materie ku personazhet, çështjen çame, e ndërmendin “nga halli” dhe i kalojnë anash. Arkiva është dëshmitare e punëve të mira të bëra, është dëshmitare e shumë qëndrimeve dinjitoze. Sjellim ndërmend raportet e shumta, të konsullit Mid’hat Frashëri përgjatë periudhës shkurt 1923-mars 1926 apo kërkesa për kthimin e menjëhershëm të çamëve, e vitit 1945, drejtuar Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve fituese, nga kundërshtari i Mid’hat Frashërit, nga Enver Hoxha.

camet

Dhe në vijim bie heshtja komuniste. Në procesverbalet e zbardhura të takimeve dypalëshe pasqyrohet qëndrimi dinjitoz i palës shqiptare gjatë vizitës së ministrit grek për Punët e Jashtme, z. Papulias, më 17 nëntor 1987. Pala shqiptare kërkonte që “eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke… t’i transferojmë me nderime në atdheun e tyre…”. Korrekt është edhe qëndrimi i palës Shqiptare gjatë vizitës tjetër zyrtare të z. Papulias, në mars 1995, ku ministri grek pranoi diskutimin e çështjes çame, por vetëm në aspektin e pronave. Qëndrim domethënës pasqyrohet edhe në takimin e pare të Nënkomisionit për Çështjet Konsullore dhe Juridike mbajtur në 23-24 maj 1995. Pas vitit 1996, arkiva, dëshmon për hapa pas.

Ndjehet aroma e bezdisë, për t’u angazhuar përnjimend me çështjen çame. Ka raste ku politikanë, që përgjatë takimit zyrtar, nuk e cekin fare çështjen çame, pas takimit e për konsum publik, u japin përgjigje patriotike pyetjeve të porositura të gazetarëve. Në këtë parashtrim, është dëshiruar, ta këqyr arkivën me shikimin e së nesërmes dhe në shërbim të saj. Studimi arkivor kthehet në ornament nëse nuk shërben për të parashikuar sjelljen e nesërme të palës përballë, nëse nuk shërben për të përvijuar sjelljen tone të ardhshme.

SHKURTIMISHT PARASHTROJ

Së pari, për kuadrin ligjor të luftës, ofruar në njëjës si Ligji i Luftës.

Së dyti, për Marrëveshjen për Toponimet, maj 2014.

Së treti, për Miqësinë dhe Traktatin e Miqësisë.

I. KORPUSI I LIGJIT TË LUFTËS

Në veshët e cilitdo qytetari shqiptar, kërkesat dhe deklarimet e qeverive dhe politikanëve tanë për shfuqizim të Ligjit të Luftës vijnë gjithnjë në njëjës. Gjithmonë thuhet Ligji i Luftës. Qytetarit normal i është treguar dhe ka dëgjuar se ekziston një Ligj Lufte dhe këtë ligj, shteti grek e mban në fuqi sepse nuk do t’ua kthejë tokat çamëve. Për qytetarin më të lëçitur, me Ligjin e Luftës nënkuptohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”. E vërteta është se nuk është një ligj, nuk janë dy ligje, është një korpus i tërë normash dhe praktikash që e kalcifikojnë gjendjen e luftës dhe e pamundësojnë adresimin e çështjes çame, përmes shfuqizimit, në njëjës, të Ligjit të Luftës. Edhe pse Ligji i Forcës Nr. 2636 përben gurin themeltar, ustallarët grek kanë krijuar dhe vijojnë të krijojnë një ngrehinë legjislative perfide, e aftë të qëndroje pa u rrëzuar, edhe nëse hiqet guri i themelit, edhe nëse shfuqizohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940. Në korpusin e normave për Ligj të Luftës, mund të përmend:

a. Vetë Ligjin Nr. 2636 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike, hyrë në fuqi më 28 tetor 1940.

b. Ligjin Nr. 2637 i vitit 1940 “Rreth modifikimit dhe plotësimit të dispozitave në lidhje me Organizmin Sigurues të Rreziqeve të Luftës dhe Ligjeve Detyruese”.

c. Ligjet Nr. 45 dhe Nr. 86 të vitit 1945.

d. Ligjin Detyrues Nr.900 të vitit 1946.

e. Dekret Ligjin Nr. 422 të vitit 1947.

f. Dekret Ligjin Nr. 1138. “Mbi pasuritë armike”, miratuar më 11 tetor 1949.

n. Edhe të tjerë ligje dhe akte nënligjore dalë mbështetur në to. Cilido koncesion i mundshëm për heqjen vetëm të Ligjit të Luftës (Ligjit të Forcës), Nr. 2636 është thjesht në përfitim të palës greke. Me kërkesën “të shfuqizohet Ligji i Luftës”, pala shqiptare nuk kërkon asgjë. Asgjë! Juristët e vitit të parë e dinë se shfuqizimi i një akti nuk ka pasojë prapavepruese. Shfuqizimi nuk pjell pasoja për marrëdhënie e ngjarje të krijuara përgjatë periudhës kur ligji ishte në fuqi dhe Ligji i Luftës i ka pjellë tashmë pasojat e tij. Nëse një ditë të bukur, pala greke vendos ta shfuqizojë Ligjin e Luftës (Forcës), Nr. 2636 të vitit 1940, pa e prekur korpusin e normave të lidhur me të, nëse vendos ta shfuqizojë ligjin, por pa i anuluar pasojat negative të vet ligjit, atëherë, ajo thjesht i bën dhuratë vetes. Ne marrim lugën bosh, ndërsa shteti grek veç përfitimeve, që padyshim do të kërkojë e do marrë në këmbim, do t’i heqë vetes edhe një ngarkesë negative, do t’i heqë vetes edhe një ngarkesë antievropiane. Shteti grek do trumbetojë paqe, por do t’i ruajë të paprekura përfitimet e “luftës”. Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa kërkuar shfuqizimin e secilës dhe të gjitha normave të lidhura me të është bumerang. Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa i prekur dhe pa i anuluar efektet e tij, është kalë druri, kalë druri i ndërtuar me shkopinj grekë.

II. MARRËVESHJA PËR TOPONIMET

Hulumtimi arkivor i dosjes çame pasqyron si veprimin tonë ashtu edhe veprimin e palës përballë. Në veprimin dhe të arriturat diplomatike të palës greke shfaqet i konsoliduar interesi afatgjatë, është e dukshme pakëputshmëria e linjës dhe qëndrueshmëria në synimet e saj. Në veprimin diplomatik të palës greke ka nivel të lartë në Pe-Hashin e fortësisë, se kërkimeve të tyre, edhe pse në të shumtën e herëve pala Greke punon në regjistra zanorë me decibel më të ulët se pala shqiptare. Përkundrejt tyre, në veprimin tonë, çështja madhore çame bie shpesh nën kthetrat e interesave politike ditore. Në ulje-ngritjet e dosjes çame pasqyrohet këndvështrimi i liderit shqiptar të kohës, por edhe ai në luhatjet e veta. Shembull i qartë i fitores së qëndrueshmërisë së angazhimit diplomatik grek ndaj luhatjeve të vendimmarrjes politike shqiptare shfaqet si në procedurën, ashtu edhe në të arriturën e Marrëveshjes për Toponimet, të majit 2014.

Me një marrëveshje, finalizuar përmes notash diplomatike, trupa diplomatike greke mori gjithçka i duhej prej vendimmarrjes politike shqiptare, pa dhënë asgjë në këmbim dhe… politika jonë u mburr. Sipas kësaj, marrëveshjeje, pala shqiptare sipërmerr, “..të adoptojë një format të ri të certifikatave personale dhe familjare për nënshtetasit Shqiptaret të lindur jashtë, sipas të cilës, vendlindja e tyre do të shkruhet në përputhje me listën e toponimeve depozituar nga Greqia ne Kombet e Bashkuara”! Në zbatim të marrëveshjes, nëna ime, e regjistruar në regjistrat e Gjendjes Civile shqiptare, me vendlindje në Kurtes – Marglliç – Çamëri – Greqi, në po këto regjistra, po të Gjendjes sonë Civile, shndërrohet me vendlindje ne: Mavrovuno – Margaritis – Thesprotia – Greece, tëpkë në përputhje me listën e toponimeve që shteti grek ka depozituar në ICAO, dekada vitesh pas lindjes dhe regjistrimit të nënës sime.

Për fat nëna ime vdiq, pa e shijuar ndërrimin e vendlindjes. Qartësisht, pala greke shkeli të drejtën e lëvizjes së lirë të nënshtetasve shqiptarë në hapësirën europiane, fituar në vitin 2012, për të përfituar dy vjet më pas, në vitin 2014, një produkt të pastër politik, deshqiptarizimin, edhe arkivor, të emërtimeve të trevës së Çamërisë dhe ia doli. Bravo për ta! Ndërkohë në sheshin më të vizituar të Athinës, në fasadën e mermertë të Parlamentit grek me germa kapitale e lakmi greke, shkruhet: KLISURA = PERMETI = TOMOROS = HIMARA = AJIROCASTRO dhe këto të barabarta me PINDOS me KALPAQI, etj.. Me Marrëveshjen për Toponimet i dhamë Athinës ç’ka deshi. Nuk na dhanë asgjë. Lëvizjen e lirë na e kishte dhënë Brukseli, prej kohësh. Interesant është fakti se pala greke inkasoi një fitore të bukur si në themel ashtu edhe në procedurë. Me formën e përdorur, përmes shkëmbimit të notave verbale, u shmang edhe kontrolli parlamentar edhe kontrolli i kushtetutshmërisë së marrëveshjes. Arkiva është mësues. Na mëson. Na mëson nëse nuk duam të gabojmë sërish. Arkiva na mëson se pala përballë, për të përparuar edhe një tjetër transhe, krijon një problem të ri. I ndjeri babai im thoshte: “I mençuri mëson nuk pëson. Njeriu pëson e mëson. Budalla pëson e pëson”.

III. MIQËSIA – TRAKTATI I MIQËSISË – PARTNERITETI STRATEGJIK

Shqipëria dhe Greqia kanë qenë të lidhura midis tyre me një Traktat Miqësie. Traktati u nënshkrua më 21 mars 1996 nga ministrat Alfred Serreqi dhe Teodoros Pangallos. U nënshkrua nga arvanitasi i vetëquajtur “i fundit i mohikanëve”. Të dy me ADN shqiptare, të deklaruar. Konformë parashikimit në traktat dhe në kushtet kur asnjëra palë nuk ka deklaruar prishjen, Traktati i Miqësisë, pas 31 janarit 2023 është pa fuqi. Tashmë shqiptarët dhe grekët nuk e kanë të lidhur me traktat, miqësinë e tyre. Juridikisht, në fuqi është Korpusi i Ligjeve të Luftës, ndërsa verbalisht na lidh Partneriteti Strategjik. Është fakt që, Partneriteti Strategjik midis dy vendeve tona është deklaruar vetëm nga njëra palë, vetëm nga Ne. “Love is always onesided”.

Është po ashtu fakt se të dyja vendet i lidh nevoja për fqinjësi të mirë. Nevojë që duhet të pasqyrohet me një traktat të ri, që mundëson zgjidhje edhe për çështjen çame. Traktati i pafuqi, në nenet 12 dhe 15 të tij shkonte tangent me çështjen çame. Në nenin 15 të tij, çështjen çame e trajton si çështje pronash, në të thuhet, citoj: “Secila nga palët kontraktuese do të përballojë mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”. Përpiqem, po nuk e kuptoj dot togfjalëshin “do të përballojë mundësinë”. Por, është i qartë mesazhi në togfjalëshin “brenda kuadrit të saj ligjor” i barabartë ‘me këtë kuadër ligjor që kemi’ i barabarte me ‘pa e ndryshuar kuadrin ligjor’, PRA pa anuluar Kuadrin Ligjor të Ligjeve të Luftës, pa i anuluar pasojat e tyre. Ndërsa Neni 12 i Traktatit, përcaktoi se, citoj: “Palët kontraktuese do të bashkëpunojnë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë së tyre kulturore, duke përfshirë edhe monumentet”.

Ky nen polli vetëm monumente e varreza greke, në tok të shtetit shqiptar. Traktati i Miqësisë nuk mundësoi asnjë monument për 55 partizanët çamë që në Luftën e Dytë ranë për lirinë e Greqisë. Traktati i Miqësisë nuk mundësoj asnjë përkujtimore për vuajtjet, po vuajtje ama, të nënave dhe fëmijëve. Traktati i Miqësisë nuk u mundësojë të lindurve në Çamëri të vendosnin një karafil mbi vendin ku prehej prindi. Traktati dhe marrëveshjet në vijim të tij u mundësuan fashistëve të Agimeve të Arta të derdhnin vrer, pretendime dhe betime mbi pllaka e mbi monumente, të mbrojtur dhe të garantuar me ceremoni shtetërore shqiptare. Shqipëria dhe Greqia e kanë nevojë për fqinjësinë e mirë, të sanksionuar me traktat, të sanksionuar me një traktat që pjell dhe rrit miqësi. Traktati i nënshkruar më 21 mars të vitit 1996 nuk është modeli. Përmes ekzistencës dhe veprimtarisë së tyre, çamët janë të vendosur të mos e noterojnë rrëmbimin e jetëve, të mos e noterojnë rrëmbimin e truallit e të pragut të shtëpisë së tyre, sepse çështja çame nuk është thjesht çështje pronash, nuk është çështje lekësh.

Me qenien dhe veprimin e tyre çamët kanë mbajtur të ndezur qiririn e shpresës pavarësisht ngricave dhe erërave nga brenda dhe nga jashtë. Mbajtja gjallë e çështjes çame, kërkimi i zgjidhjes së saj, vlen jo vetëm për çamët. Rrëmbimi i truallit çam nuk është çështje vetëm e çamëve të Çamërisë, ashtu siç Çështja e Detit nuk është çështje e peshqve, banorëve të detit. Çështja çame është transhe Shqiptare. Mbrohet, për të mos humbur më shumë. Prezenca e saj e ndih Shqipërinë, mbajtja e saj i ndih shqiptarët, i ndihmon në balancat e mendjes, në balancat e tavolinave diplomatike, politike a të sigurisë. Lakmia greke prodhoi Napolon Zervën e shumë korofillak të tjerë dhe vijon të prodhojë, të prodhojë Beleris e kompani dhe shumica janë shqipfolës. Nga gjyshja mbaj mënd një këngë, në Greqisht: “Ksipna Ali Pash kajmeni na jdhis ta Janina su ta pirane i Elines dhen ine pja dhikasu” = “Zgjohu Ali Pash i mjeri të shohësh Janinën tënde, ta morën Grekët, nuk është më e jotja”. Edhe gjyshet janë arkiv. Ruajna Zot sikur të na e këndojnë prapë një ditë, të na e këndojnë për Preshevën, për Himarën a Mitrovicën./GAZETA PANORAMA

*Ish-zevëndësministër i Jashtëm i RSH

Exit mobile version