Grezda: Lihtenshtejni prioritet, fitojmë edhe ndaj Maqedonisë

Eros Grezda në konferencë për shtyp deklaroi se ndihet gati që të luajë që nga minuta e parë. Përsa i takon çëshjes Cikalleshi, ai tha se kjo çështje i takon trajnerit dhe lojtarit. “Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë, kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun, nuk e di sesa kam arritur tia mbush mendjen trajnerit, por unë kam dhënë maksimumin dhe shpresoj të luaj që nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Grezda.
“Nuk kam biseduar shumë me trajnerin e ri, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe kemi qenë shumë të përqendruar në seancat stërvitore. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne futbollistët e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë”. “Duhet të luajmë në çdo pozicion që trajneri dëshiron. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse luaj si mesfushor krahu, si mesfushor pas sulmuesit apo si sulmues, unë jam i gatshëm të luajë aty ku ka nevojë skuadra. Nuk mund të bëj një koment për vendimin e trajnerit për Cikalleshinm pasi çdo trajner bën zgjedhjet e tija”, tha ai.
“Luajmë me Lihtenshtejnin dhe ne jemi ekipi favorit dhe duhet të sulmojmë, për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofensiv, pasi hymë në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese.
“Secili trajner ka metodat e veta të punës, por si me De Biasin ashtu edhe me Panuccin jemi të kënaqur po punojmë fort dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën. Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtejnin, sepse nuk është një sfidë e lehtë, sot të gjithë kundërshtarët janë të vështirë, edhe pse në letër e quajmë si një sfidë të fituar duhet t’i marrim pikët në fushë. Të mposhtim Lihtenshtejnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, edhe atje do të shkojmë për fitore. Kemi shumë lojtarë ofensivë secili prej nesh duhet të zëvendosojë, Cikalleshin ose Balajt me mundësitë që do t’i jepen”, përfundoi Grezda.

Exit mobile version