Griezman heroi kombëtar, jo vetëm për golat

Me një dopietë të tij ka thyer tabunë kundër Gjermanisë dhe dërgoi Francën në finale të kampionatit europian “France 2016” që do të zhvillohet në Paris. 6 gola deri më tani në Europian, duke qenë golashënuesi kryesor i këtij turneu dhe i cili është duke i’u afruar me gola edhe mitit Michel Platini. Por Antoine Griezmann nuk është i dashur vetëm për atë çka jep në fushën e blertë.
“Le Petit Diable” është bërë simboli i një kombi, heroi i një shteti të “lënduar” nga sulmet terroriste, i cili me golat dhe gjestet e tij bomberi i Atletico Madrid janë duke i rikthyer buzëqeshjen një populli të tërë. Më 13 nëntor 2015 në ditën e sulmeve terroriste në Paris, Griezmann ishte në fushë me kombëtaren e tij në ndeshjen kundër Gjermanisë.
Ndërkohë motra e tij ishte në koncertin e “Eagle of death metal” në Bataclan ku humbën jetën më shumë se 100 persona.
Pas disa orësh ku e kuptoi se çfarë kishte ndodhur ai shkruajti në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”: “Falenderoj Zotin që motra ime mundi të largohej nga Bataclan. Të gjithë lutjet e mia shkojnë për të gjithë viktimat dhe familjet e tyre. Viva la Franca”.
Historia e Griezmann është edhe historia e Francës së “goditur”, e cila dëshiron të ngrejë kokën pa patur frikë, që dëshiron ta bëjë pavarësisht vështirësive siç bëri edhe “Djalli i vogël” i tyre. Jeta e Antoine Griezmann është e shënuar në shumë histori emblematike që në moshë të vogël dukej se ishte i refuzuar nga futbolli, në Francë nuk e dëshironte asnjë dhe për të “shpërthyer” emigroi në Spanjë, në fillim tek Real Sociedad dhe më pas tek Atletico Madrid ku Diego Pablo Simeone e transformoi në një kampion të vërtetë.
Në 2013 u skualifikua për një sezon nga Kombëtarja U-21 e Francës, pasi ishte larguar nga faza përgatitore pa kërkuar leje. E ardhmja e tij me “blutë” dukej sikur ishin zbehur, por më pas Antoine ndryshoi dhe filloi të ishte një fitues.
Bomberi i Atleticos ka shënuar 6 gola në këtë europian, por goli më i bukur sigurisht ishte ai jashtë fushës së blertë, pas dopietës së bërë në çerekfinale kundër Irlandës ai takoi Hugon të birin e një polici, i cili u gjend i vdekur pas sulmeve terroriste në Magnaville të Francës dhe ai i dhuroi në shenjë sensibilizimi topin e ndeshjes. Një gjest që bëri të emociononte të gjithë shtetin francez, i cili tashmë dëshiron të qajë nga lumturia, duke ngritur trofeun e Kampionatit Europian.

Exit mobile version