Antoine Griezman ka mësuar shumë shpejt se çfarë do të thotë të jesh një futbollist i Atleticos së Madridit. Francezi, i cili ka shkëlqyer gjatë viteve të fundit me Los Colchoneros është një nga futbollistët më të kërkuar në merkato, por Griezman nëse vendos të largohet një ditë nga “Vicente Calderon”, nuk do të transferohet te Reali i Madridit. Në një intervistë për mediat franceze 25-vjeçari la të kuptohet se për momentin ndihet shumë mirë te Atletico: “Jam i lumtur këtu, kemi një skuadër të fortë dhe të aftë për të fituar trofe, është e qartë që dua të fitoj sa më shumë tituj, por te Reali i Madridit nuk do të shkoja kurrë për shkak të rivalitetit që ekziston mes dy klubeve”, theksoi fillimisht Griezman.
Sulmuesi i përfaqësueses franceze shtoi gjithashtu se ekziston një pakt mes dy skuadrave të kryeqytetit spanjoll për të mos firmosur me futbollistët e njëra-tjetrës. Ky pakt ndërkohë nuk ekziston mes Barcelonës dhe Atleticos, nënvizoi Griezman, duke lënë të hapura dyert për t’u transferuar një ditë në “Camp Nou”. 25-vjeçari në një të ardhme të afërt nuk dëshiron të luajë në Francë edhe pse e përkufizoi, Paris Saint Germain-in si një klub shumë interesant. Për ish-lojtarin e Real Sociedad-it interesohen Manchester United dhe Chelsea dhe vetë Griezman e shikon me sy të mirë një transferim të mundshëm në Premier League edhe pse për momentin preferon të luajë vetëm në La Liga. Në lidhje me Topin e Artë edhe pse është një nga kandidatët për të fituar Griezman theksoi se Cristiano Ronaldo e meriton këtë trofe pasi ka fituar Champions-in me Realin dhe Kampionatin Europian me Portugalinë. Në fund të intervistës së tij Griezman deklaroi se Cristiano do të jetë një legjendë e futbollit pas 10 vitesh.