Antoine Griezmann braktiset nga menaxheri i tij. Ishte pikërisht francezi zgjedhja e parë e Man. United dhe jo Romelu Lukaku, madje “Djajtë e Kuq” ishin të gatshëm të paguanin çdo lloj shifre vetëm për ta pasur sulmuesin në radhët e skuadrës. Në fakt, destinacioni drejt United, shihej me sy të mirë edhe nga ana e Griezmann, por ajo çka e bëri atë të ndryshojë mendje ishte vendimi nga ana e FIFA-s, bllokimi i merkatos për Atleticon e Madridit. Francezi pas këtij momenti vendosi të mos i braktiste Los Colchoneros, të vazhdonte të jepte konrtibutin e tij, deri në një moment të dytë kur pezullimi të ketë përfunduar. Ky vendim pati në njëfarë mënyre dhe pasoja për 26-vjeçarin.
Eric Olhats, menaxheri i futbollistit prej gati 12 vitesh, ka shkëputur bashkëpunimin e tij me sulmuesin.
Është vetë Olhats ai që e ka konfirmuar një lajm të tillë. Ai deklaroi se e ka falënderuar lojtarin për bashkëpunimin që kanë pasur këto vite, por vendimi i Griezmann nuk ishte i drejtë, sipas Olhats. Menaxheri e ka zbuluar 26-vjeçarin që në moshën 14-vjeçare, në ekipin e të rinjve të Montepellier, më pas e solli atë tek Real Sociedad. Pas 12 vitesh bashkëpunim, marrëdhënia mes tyre ndërpritet.