Antoine Griezmann shpallet lojtari më i mirë i Euro 2016. Paneli i UEFA-s, i përbërë nga 13 specialistë, ndër të cilët Sër Aleks Ferguson, Alan Giresse apo David Moyes, ka qenë i mendimit se sulmuesi i Francës me 6 golat e tij të konsiderohet më i miri i turneut. Edhe pse nuk arriti të ngrinte lart trofeun, 25-vjeçari rezultoi vendimtar për Francën që në ndeshjet e grupeve e deri në gjysmëfinale me Gjermaninë, si autor i dy golave që i dhuruan kualifikimin “Gjelave” për në finale. UEFA ka shpallur edhe 11-shen më të mirë të turneut, ku janë përfshirë 4 portugezë, tri gjermanë, 2 francezë dhe 2 uellsianë.
Në rreshtimin 4-2-3-1 në pozicionin e portierit është Rui Patricio i Portugalisë. Një vendim mëse logjik për kampionin e saposhpallur të Europës, i cili gjatë fazës me eliminim direkt ka pësuar vetëm një gol në fazën çerekfinale ndaj Polonisë. Në mbrojtje janë dy portugezë, Pepe në qendër dhe surpriza Guerreiro në të majtë, për të vijuar më pas me Boateng-Kimich, dyshen gjermane të mbrojtjes. Asnjë futbollist italian në prapavijë, edhe pse mbrojtja e të kaltërve ka qenë më solidia gjatë fazës së grupeve, por edhe në fazën 1/8-ave me Spanjën apo në çerekfinale me Gjermaninë, pavarërisht eliminimit me 11-metërsha.
Para mbrojtjes janë përzgjedhur Toni Kroos i “pancerave” dhe Allen i Uellsit, ndërsa Griezmann, golashënuesi më i mirë i Europianit, Ramsey dhe Payet në mbështetje të sulmuesit të avancuar Cristiano Ronaldo. Në këtë formacion nuk ka vend për Gareth Bale, inspiruesin i Uellsit në këtë debutim fantastik të skuadrës britanike. Paneli i përzgjedhur nga UEFA për përcaktimin e lojtarit më të mirë dhe 11-shen ideale të Europianit është bazuar në ndikimin që kanë patur lojtarër te skuadrat më të mira të turneut. Sër Aleks Furguson theksoi se janë përzgjedhur qendërmbrojtës me më shumë karakter, mbrojtësit anësorë që dinë të sulmojnë dhe mbrojnë, mesfushorë të aftë për t’i dhënë ritëm skuadrës, si dhe sulmues dinamikë, fleksibël dhe kreativë me nuhatje para portës.