Griezmann, njeriu simbol i Atleticos

Antoine Griezmann është padiskutim njeriu i momentit në shtëpinë e Atleticos së Madridit. Nëse nuk do të ishte për golat e francezit, Los Colchoneros vështirë se do të rivalizonin me Barcelonën deri në javën e fundit për fitimin e titullit kampion në La Liga. Goli ndaj Rayo Vallecanos vetëm disa sekonda pasi kishte hyrë në fushë ishte i 30-ti në këtë sezon për Griezmann në të gjitha kompeticionet. Sulmuesi i përfaqësues franceze po kalon një moment me të vërtetë fantastik teksa vetëm në La Liga ka realizuar 21 gola. Shumica e këtyre finalzimeve kanë qenë shumë të rëndishme për Atleticon, pasi i kanë dhënë 3 pikët skuadrës së Simeones. Pa golat e 25-vjeçarit, Los Colchoneros sot do të kishin 14 pikë më pak në Primera Division. 5 finalizime të yllit francez i kanë dhënë 5 fitore nga 1-0, Atleticos në këtë sezon, statistika këto që tregojnë për rëndësinë e këtij futbollisti te skuadra e El Cholo Simeones.
Madrilenët nuk bëjnë dot pa Griezmann dhe fati i mirë i tyre është që lojtari nuk ka pësuar asnjë dëmtim me 25-vjeçarin që ka zhvilluar në total 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Jo më kot për të interesohen klubet më të mëdha të Europës, pasi Antoine Grizmann përfaqëson njeriun simbol të kësaj Atletikoje që në këtë sezon po rivalizon me Barcën dhe Realin për titullin në Spanjë, por ndërkohë është vetëm një hap larg edhe kualifikimit në finalen e Championsit. Në sezonin e tij më të mirë në karrierë, Antoine Griezmann është me të vërtetë njeriu që po merr për dore Atleticon e Madridit.

Artikulli paraprakReali nuk dorëzohet në minutat e fundit
Artikulli tjetërDibala do numrin 10