“Griezmannit i duhet më shumë kohë për t’u përshtatur tek Barcelona”

Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, beson se Antoine Griezmann do ta shijojë një karrierë shumë të suksesshme në Barcelonë, duke shtuar se ai nuk është i shqetësuar për formën e sulmuesit.

Antoine Griezmann e la Atletico Madridin për Barcelonën gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo ai nuk ka arritur ta gjejë formën e tij më të mirë në stadiumin “Camp Nou”.

Pasi ka qenë duke luajtur shumicën e kohës si sulmues krahu e jo në pozitën e qendërsulmuesit, që e mban në ekipin kombëtar të Francës dhe që e kishte te Atletico Madridi, 28-vjeçari i ka katër gola në dhjetë ndeshje të La Ligës.

Megjithatë, Deschamps nuk është i shqetësuar për Griezmannin, duke pretenduar se atij thjesht i duhet edhe më shumë kohë për t’u përshtatur me jetën e re në klubin e tij të ri.

“Edhe nëse ke lojtarë të mrekullueshme në Barcelonë, gjithçka s’mund të funksionojë brenda ditës. Varet nga mënyra se si ata luajnë, nga mënyra se si ata bashkëpunojnë mes vete”, ka thënë Deschamps.

“Gjithashtu, ai është duke luajtur në një pozitë të ndryshme nga ajo që e ka në Francë, edhe pse ai kishte luajtur edhe në krah para një kohe”.

“Ai duhet të përshtatet, ashtu si lojtarët e tjerë. Ai nuk e bëri zgjedhjen më të lehtë dhe Barcelona është një klub i madh, kështu që edhe pritjet për të janë të mëdha. Ai është gjithmonë pjesë e skuadrës, por nuk është mësuar ende”.

“Edhe kur ai nuk është aq i mirë, ai është gjithmonë pozitiv për skuadrën. Me ne, është një situatë ndryshe, një pozitë ndryshe, ai mund të luajë në pozitën e tij më të mirë që ia kam dhënë që një kohë të gjatë. Natyrisht, ai ka shumë rëndësi për mënyrën se si ne luajmë”.

Artikulli paraprakXhakës i hiqet shiriti i kapitenit, reagon mbrojtësi i Arsenalit
Artikulli tjetërFushatë e ashpër zgjedhore në Britaninë e Madhe