Grizman më “urren”

Kristiano Ronaldo ka dhënë një intervistë të gjatë për “France Football”, ku tregon për revistën shumë gjëra nga viti i tij i suksesshëm 2016, ku fitoi trofetë më të rëndësishëm në rang klubi dhe kombëtareje. Revista franceze ka publikuar sot disa pjesë të kësaj interviste në të cilën portugezi ka zbuluar se si ishte takimi i tij i parë pas Europianit me francezin, Antuan Grizman, të cilin e kishte mundur si në finalen e Ligës së Kampioneve, ashtu edhe në Kampionatin Europian.
Atmosfera para finales së Europianit
“Jam i bindur se, qetësia është çelësi i gjithçkaje. Ne e dinim që kishim një avantazh të madh, nuk ishim favoritë. Francezët mendonin se do të fitonin lehtësisht… të paktën kjo ishte përshtypja që na ishte krijuar ne… Kur filluam nxemjen në fushë i pashë francezët pak si shumë të qetë. I pashë që po qeshnin shumë. Sigurisht, që mund të qeshësh para një ndeshje, por nëse dukesh shumë i lumtur… Edhe gjestet e tyre tregonin një siguri të dukshme… Unë e kisha këtë ndjesi për ta dhe si kapiten më shërbeu për të motivuar shokët e skuadrës”.
Ndjesia para ndeshjes
“Pas fjalëve të Fernando Santos, isha i bindur që Franca do të sulmonte 50 herë dhe ne do të detyroheshim të mbronim. Por kisha edhe ndjesinë që ne do të na krijoheshin një ose dy mundësi dhe do të arrinim të shënonim”.
Roli i tij
“Nuk kam bërë një fjalim grupi, por si kapiten kam folur me secilin lojtar. Objektivi im ishte që t’u hiqja trysninë, ndaj për secilin kishte nga një mesazh të veçantë. Pepe për shembull, i cili është një lojtar me eksperiencë, i kërkova që të gjallëronte më të rinjtë. Edhe unë fillova të ndjehesha pak më nervoz se zakonisht, por mbi të gjitha duheshin ndihmuar të tjerët dhe t’u transmetoja atyre një energji pozitive”.
Dëmtimi
“Hyra në dhomat e zhveshjeve në mënyrë që mjeku i kombëtares të më bënte një diagnozë të shpejtë. Isha keq, qaja. Mendoja se isha shumë keq. Mjeku më siguroi që jo, por unë vazhdoja të qaja”.
Takimi me Grizman
“Është e çuditshme, pasi pak ditë pas finales, kur isha në pushime në Majami, u takova me Antuan Grizman në një restorant, ku po darkonte bashkë me të fejuarën e tij. Ai erdhi e më takoi në tavolinë dhe më tha me të qeshur “Kristiano, të urrej’”.

Artikulli paraprakBenzema edhe mund të rikthehet te Franca
Artikulli tjetërKlopp kërkon lojtarë te Southampton